Ndërlidhjet

PËRFUNDOI KONFERENCA PËR EDUKIMIN E PJESËTARËVE TË KOMUNITETEVE ROME, ASHKALI DHE EGJYPTASE


Bekim Bislimi, Prishtinë

Përfaqësuesit e komunitetit roma, ashkali dhe egjyptian, kanë nevojë që të kenë mundësi të barabarta me të gjithë fëmijët e tjerë për t'u arsimuar në kushte të përshtatshme transporti dhe sigurie. Me këtë vlerësim i ka mbyllur punimet konferenca dyditore e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, mbi edukimin e romëve, ashkalive dhe egjyptianëve. Gregori Fabian, përfaqësues i departamentit për rregulla ligjore në OSBE, tha se është e drejtë e çdo individi që të shkollohet në gjuhën amëtare.
"Më e rëndishmja është që fëmijët roma, ashkali dhe egjyptianë të integrohen në shkollat fillore, tetëvjeçare dhe të mesme dhe integrimi nuk nënkupton asimilimin, " tha zoti Fabian. Jusuf Zeneli, sekretar i përhershëm i Ministrisë së Arsimit, tha se në këtë ministri tashmë egziston një sektor që angazhohet për arsimimin e komuniteteve, duke premtuar se ky institucion do të angazhohet më shumë në shkollimin dhe integrimin e të gjitha komuniteteve, në veçanti atij rom, ashkali dhe egjyptian.
"Ne konsiderojmë se ka qenë pjesa më e ballafaquar me probleme në procesin e integrimit, shkollimit, edukimit të fëmijëve ose pjesëtarëve të këtij komuniteti," thotë zoti Zeneli.
Abdul Aziz Khan, zyrtar ndërkombëtar i Ministrisë së Arsimit, thotë se tre qëllimet për të cilat është organizuar kjo konferencë janë jashtëzakonisht të rëndësishme, dhe kjo dëshmon përkushtimin për të integruar komunitetet rome, ashkali dhe egjyptiane. Zoti Khan tha se është fakt i pranuar se pjesëtarët e këtyre komuniteteve janë pjesë e pandashme e shoqërisë kosovare.
"Nëse ne nuk i pranojmë, nuk mund të përmirësohen, shoqëria nuk mund të jetë produktive, përderisa pakicat e tjera nuk punojnë bashkarisht me popullatën shumicë," tha zoti Khan, duke rikujtuar se pikërisht popullata shumicë është ajo që duhet të bëjë hapat e parë në këtë drejtim. Duke folur për nismat dhe projektet që Ministria e Arsimit ka promovuar mbi këtë çështje, ai thotë se edhe rekomandimet që kanë dalë nga kjo konferencë, do të merren parasysh, për të përmirësuar gjendjen aktuale të shkollimit të fëmijëve romë, ashkali dhe egjyptian.
Konferenca është organizuar me qëllim të zhvillimit të një strategjie shkollimi për këta fëmijë që do të çojnë në adoptimin e një politike shkollimi për ta.


XS
SM
MD
LG