Ndërlidhjet

logo-print

KRYEMINISTRI NANO HEDH POSHTË MUNDËSINË E DORËHEQJES


Alma Çupi, Tiranë

Kryeministri Fatos Nano në prezantimin e kandidaturave të Partisë Socialiste për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2003, foli për përplasjet më të fundit në grupin parlamentar të Partisë Socialiste. Ai tha se baza e partisë dhe forumet në rrethe janë distancuar
nga veprimi i një grupi deputetësh të Partisë Socialiste, të cilët votuan kundër në seancën parlamentare për kandidaturën e ministrit të jashtëm.
"Solidariteti ynë progresist nuk mund të cënohet nga askush, qofshin këta edhe deputetë, që duket se kanë zgjedhur të mbështeten tek Sali Berisha në vend të partisë që i ka mandatuar", tha Fatos Nano.
Votën kundër, kryeministri e komentoi si veprim për pushtet dhe veprim amoral dhe në të njëjtën kohë ai paralajmëroi se kundështarët do të marrin atë që meritojnë në kongresin e ardhshëm të Partisë Socialiste, që do të mbahet në muajin dhjetor.
"Si kryetar i partisë mbetem i bindur se ethet e parakohshme dhe amorale kongresuale, nuk duhen lejuar të dëmtojnë më fitoren e zgjedhjeve nga Partia Socialiste. Në të kundërt dua të garantoj në emrin tuaj dhe të anëtarësisë, se kongresi i dhjetorit do t'i japë secilit shpërblimin e merituar që duhet të paguajë", theksoi zoti Nano.
Kryeministri risiguroi edhe një herë se nuk do të heqë dorë nga drejtimi i ekzekutivit shqiptar, dhe këtë e argumentoi me refomat që ka ndërmarrë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian:
"Dua t'ju siguroj dhe nëpërmjet jush gjithë partinë, që Fatos Nano nuk ka ndërmend të heqë dorë nga realizimi i misionit historik të socialistëve dhe progresistëve për modernizimin dhe integrimin evropian të Shqipërisë".
Sekretari i përgjithshëm dhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, tha në fjalën e tij se Partia Socialiste përveç zgjedhjeve që ka përpara, po merret edhe me problemet e brendshme.
"Siç e shikoni ne jemi të zënë, pasi merremi edhe me rrethet, edhe me objektivat politike që kemi. Më gjeni një parti tjetër politike në Shqipëri, qoftë në opozitë, që të merret dhe që të bëhet gati për zgjedhjet, kaq mirë dhe kaq shpejt sa Partia Socialiste", tha Gramoz Ruçi.
Më tej në fjalën e tij, kryeministri Fatos Nano, siguroi se vota e 2003 ka vlerën e pazëvendësueshme në jetën e gjithsecilit, pavarësisht ngjyrës politike që do të ketë. Kryeministri Fatos Nano, vuri në dukje arritjet e qeverisë së tij dhe u shpreh i bindur se problemet e brendshme të partisë, nuk do të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve.
XS
SM
MD
LG