Ndërlidhjet

logo-print

MARSI RIS: DISKUTUAM MËNYRAT PËR NDËRTIMIN E SHOQËRISË DEMOKRATIKE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Egziston një miqësi e ngrohtë në mes popullit amerikan dhe popullit të Kosovës ka thënë sot në Prishtinë, shefja e sapoemëruar e zyrës amerikane Marsi Ris, në përfundim të takimit të parë të saj në këtë funksion me kryetarin e Kosovës Ibrahim Rugova. ME këtë rast shefja e zyrës amerikane Ris, ka thënë se synimi i saj kryesor është që të punojë së bashku me institucionet e Kosovës për të parë mundësitë që të ndërtohet një shoqëri demokratike.
"Me presidentin Rugova ne biseduam se si mund të punojmë së bashku për të ndërtuar një Kosovë paqësore, prosperuese, demokratike dhe shumëetnike", tha shefja e zyrës amerikane në Prishtinë, Marsi Ris.
Ndërkohë kryetari i Kosovës Ibrahim Rugova, tha se e kishte njoftuar zonjën Ris lidhur me progresin e arritur dhe me objektivat e institucioneve të Kosovës.
"Kemi bashkëpunim të ngushtë, siç e kemi patur deri tani me SHBA. Zonjën Ris e njoftova për progresin që kemi bërë gjatë këtyre katër viteve në Kosovë dhe sidomos vitin e fundit, që kemi më shumë siguri publike, si dhe me objektivat e qeverisë, të institucioneve tona", tha kryetari Rugova, duke vënë theksin sidomos në zhvillimin ekonomik e privatizimin si dhe integrimin e grupeve etnike në shoqërinë kosovare. Kryetari Rugova edhe njëherë përsëriti insistimin e tij që Kosova të njihet sa më parë si një vend i integruar në NATO, në BE dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që është dhe vullneti i popullit të Kosovës. Miqësinë e vazhdueshme të popullit amerikan dhe popullit të Kosovës e potencoi veçanërisht në takimin e saj të parë zyrtar në Kosovë edhe shefja e zyrës amerikane Marsi Ris.
"Siç e dini ka një miqësi mjaft të ngrohtë mes popullit amerikan dhe atij të Kosovës, gjë që unë e kam ndier që kur jam këtu," tha zonja Ris, duke theksuar se gjatë qëndrimit të saj në Kosovë, synon të udhëtojë e të takojë njerëzit për të parë shqetësimet dhe synimet e tyre.
Zonja Ris ka trashëguar në këtë post disa iniciativa të paraardhësit të saj Reno Harnish, para së gjithash, nxitjen e drejtuesve të institucioneve të Kosovës dhe të partive politike për të mbështetur procesin e kthimit të të zhvendosurve, si dhe iniciativën e zotit Harnish dhe shefave të quintit në Kosovë, për të përcaktuar një dinamikë të përmbushjes së tetë standarteve, që janë vlerësuar si një parakusht për përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës.
XS
SM
MD
LG