Ndërlidhjet

logo-print

J. KRASNIQI: KA PËRPARIME, KA REZULATE, POR NE DËSHIROJMË QË ATO TË JENË MË TË DUKSHME


Jakup Krasniqi, ministër në qeverinë e Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Krasniqi, ju i keni dërguar një letër Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Anan, me kritika të ashpra për UNMIK-un, gjatë kohës kur keni qenë duke kryer punën e ushtruesit të detyrës së kryeministrit të Kosovës. Si e shpjegoni ju këtë letër?

JAKUP KRASNIQI
Unë nuk i kam mohuar në asnjë formë punët dhe sukseset në disa fusha, që janë arritur gjatë administrimit të UNMIK-ut, por i kam theksuar në mënyrë shumë konkrete disa anë negative, eliminimi i të cilave, vërtet, do të krijonte kushte më të mira për qytetarët e Kosovës dhe do të krijonte njëkohësisht një respekt më të madh të qytetarëve të Kosovë për administratën e UNMIK-ut dhe për OKB-në në përgjithësi.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Krasniqi, nga cili pozicion i jeni drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm Anan - keni shprehur qëndrimin e Qeverisë, qëndrimin tuaj personal, apo cili ka qenë pozicioni juaj?

JAKUP KRASNIQI
Unë jam konsultuar shpeshherë edhe në Qeveri dhe kam kritikuar edhe punën e qeverisë, por kam kritikuar me fakte konkrete dhe të argumentuara mirë edhe punën e administratës së UNMIK-ut. Tani, kohët e fundit, me një vendim të kryeministrit, unë kam qenë edhe ushtrues detyre i kryeministrit dhe jam Ministër i Shërbimeve Publike dhe nga pozicioni që kam pasur momentalisht, unë jam përgjigjur me një letër. Dhe, jam i bindur se këto vërejtje dhe këto argumente u janë të njohura, edhe kryeministrit edhe gati pjesës më të madhe të ministrave në qeverinë e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Krasniqi, analistët e ndryshëm dhe mediat këtu në Kosovë, kanë thënë se paraprakisht është dashur një konsultim ndërmjet institucioneve kryesore të Kosovës dhe ndërmjet jush që kryenit punën e kryeministrit të Kosovës. Si u përgjigjeni tani ju këtyre kritikave ndaj jush?

JAKUP KRASNIQI
Ka vend edhe për kritika dhe jam i vetëdijshëm për këtë, por, vërtet, duke e parë mosfunksionalitetin dhe mosgatishmërinë e disa udhëheqësve të institucioneve të Kosovës për të bërë diçka të mirë, unë kam marrë iniciativë, ndoshta paksa duke shfrytëzuar edhe pozicionin që kam, duke njohur rrethanat e krijuara dhe duke dëshiruar që pozita e Kosovës në raport me faktorin ndërkombëtar të jetë në nivel më të lartë, kam bërë këto kritika dhe këto kritika janë mirë të argumentuara. Madje unë nuk i kam zbrazur të gjitha ato që kam mundur t’i them, por i kam thënë segmentet kryesore, si moskrijimi i institucioneve autoritative, dobësia sidomos në sferën e drejtësisë dhe të sigurisë. Këto janë tre segmente, pa të cilat nuk mund të përmbushen standardet, për të cilat bëhet aq shumë fjalë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Krasniqi e përmendët edhe më parë se nuk doni t’i mohoni të arriturat, ndërkohë që analistët kanë thënë se brenda katër vjetësh UNMIK-u ka arritur disa suksese, si ngritjen e institucioneve, përmirësimin e sigurisë, çështjen e të zhdukurve dhe privatizimin. Si i vlerësoni ju këto të arritura?

JAKUP KRASNIQI
Shikoni, ka të arritura në fushën e sigurisë, por nëse e marrim parasysh se ende qytetarët e Kosovës nuk kanë mundësi të lëvizin lirisht nëpër tërë hapësirën e Kosovës, nëse marrim parasysh shumë pengesa që u bëhen qytetarëve të Kosovës në rajon dhe më gjerë, mendoj se siguria nuk është në nivelin e duhur. Në anën tjetër, siguria do të thotë edhe një gjyqësi dhe një ligjësi e një niveli të lartë, respektim i ligjeve. Dhe, një gjyqësi në kuptimin e mirë të fjalës, në Kosovë nuk e kemi. Deri sa nuk kemi një gjyqësi dhe kemi kriminalitet të madh, nuk mund të kemi kushedi se çfarë suksesi në lëmin e gjyqësisë, të ligjësisë dhe të sigurisë. Megjithatë, ka përparime, ka rezulate, por ne dëshirojmë që ato rezultate të jenë më të dukshme, të jenë më të prekshme dhe t’i përshpejtojnë edhe problemet e tjera të pazgjidhura. Për privatizimin nuk kemi se çfarë të themi – ai vetëm sa ka filluar dhe këtu nuk mund të themi nëse është arritur ndonjë sukses. Edhe legjislacioni për këtë nuk është në nivelin më të mirë të mundshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe në fund zoti Krasniqi, çfarë duhet ndryshuar në misionin e OKB-së në Kosovë dhe a u takon gjithë faji ndërkombëtarëve, apo edhe institucionet e Kosovës kanë dështuar së funksionuari, pasi ka vërejtje edhe në adresë të tyre, përfshirë edhe ministrinë që ju udhëhiqni?

JAKUP KRASNIQI
Po. Është një e vërtetë e madhe se unë nuk e kam kursyer as ministrinë time, por dua ta them se në Kosovë ekziston një zyrë ligjore që udhëhiqet nga një person, e cila interpreton ligjet si i teket një personi dhe ndoshta prej kësaj lind edhe fakti që shumë detyra dhe obligime të kryeadministratorit nuk mund të kryhen në nivelin e duhur. Do të duhej të krijohej një mekanizëm, i cili do t'a luante rolin e gjykatës kushtetuese dhe interpretimi e kornizës kushtetuese, interpretimi e ligjeve dhe intepretimi e rregulloreve të ndryshme, të bëhej nga një grup ekspertësh juridikë dhe jo vetëm nga një person, apo nga një zyrë ligjore, siç është ajo e kryeadministratorit.

Intervistoi Rrahman Paçarrizi

XS
SM
MD
LG