Ndërlidhjet

3 TË VRARË DHE 4 TË PLAGOSUR NË PEJË, NDËRSA NUK DIHEN ENDE MOTIVET.


Rrahman Pacarrizi

Policia ndërkombëtare në Prishtinë edne nuk i ka të qarta motivet e sulmit të mbrëmshëm në Pejë, me ç’rast u vranë tre persona dhe u plagosën katër të tjerë.
Deri më tani dihet se bëhet fjalë për katër sulmues të armatosur, të cilët pasi kanë kryer krimin kanë shkëmbyer zjarr edhe me pjesëtarët e SHPK-së, tha zëdhënësi i policisë ndërkombëtare, Barry Fletcher. Sipas tij incidenti tragjik ka ndodhur pas orës dhjetë të mbrëmjes, në kohën kur qyteti ishte në errësirë, për shkak të reduktimeve të energjisë elektrike:
"Ajo që besojmë se ka ndodhur është se një grup njerëzish, të armatosur me pushkë automatike të tipit kalashnikovë, qëlluan mbi një grup njerëzish që rrinin përpara një shitoreje, duke plagosur shtatë persona, tre prej të cilëve kanë vdekur", tha zëdhënësi Fletcher.
Burime të policisë she spitalit bëjnë të ditur se të vrarët janë Shkëlzen Nikçi, Antigona Dedushaj dhe Florina Kelmendi.
Një zëdhënës i policisë në Pejë, Joel Singleton, ndërkohë ka thënë, se ndonëse motivet e këtij sulmi janë ende të paqarta për policinë, duket se Shkëlzen Nikçi ishte cak i sulmit. Dhe kjo pasi në veturën e tij ishin shkrepur dhjetëra plumba duke e lënë të vrarë në vend, ndërsa dy viktimat e tjera, njëra prej të cilave e mitur nuk ishin në veturën e sulmuar, por aty në afërsi.
Policia, megjithëse ka shkuar shpejt në vendin e ngjarjes nuk ka arritur të kapë sulmuesit, tha Fletcher:
"Policia është përgjigjur në vendin e ngjarjes dhe ka pasur një përleshje të armatosur ndërmjet policisë dhe sulmuesve, të cilët megjithatë ia kanë dalë të arratisen", tha Fletcher. Ai ka konfirmuar se tashmë dihet se njëri prej viktimave ishte cak i sulmit, por nuk mund të thuhet asgjë me saktësi për motivet.
Sidoqoftë, gjatë këtij viti qyteti i Pejës ka qenë skenë incidentesh me përfundime tragjike, që e bëjnë këtë rajon më të pasigurtin në Kosovë, cfarë ka detyruar UNMIK-un të shtojë masat e sigurisë.
"Ne e kemi shtuar sigurinë në Pejë, duke vendosur edhe postblloqe për të vëzhguar lëvizjen e njerëzve dhe të veturave, në përpjekje të identifikimit dhe arrestimit të kryerësve të këtyre akteve", tha zëdhënësi Fletcher, duke e vlerësuar situatën aktuale në Pejë si të qetë.
Ndërkohë burime të tjera kanë thënë se gjendja e të plagosurve të mbrëmshëm, që janë sjellë me plagë të rënda në spitalin e Prishtinës, është e qëndrueshme dhe ata janë jashtë rrezikut për jetën.
XS
SM
MD
LG