Ndërlidhjet

NË KOSOVË DËNOHET VRASJA E POLICIT NDËRKOMBËTAR


Bekim Bislimi, Prishtinë

Një pjesëtar i policisë së Kombeve të Bashkuara në Kosovë është vrarë mbrëmë në krye të detyrës në veri të Kosovës. Në një kumtesë të lëshuar për shtyp, policia ndërkombëtare ka njoftuar se polici gjendej në veturën e policisë së Kombeve të Bashkuara, në kohën kur persona tani për tani të panjohur, kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të veturës, duke e qëlluar policin për vdekje. E tërë ngjarja ka ndodhur në afërsi të lokalitetit që quhet Lumi i Cerrajës, i cili
gjendet në mes të magjistrales Mitrovicë –Leposaviç përkatësisht Albanik. Komisioneri i Policisë së Kombeve të Bashkuara, Stefan Feller, e ka cilësuar këtë vrasje si akt të pabesueshëm dhe brutal.
Vlerësimet e zotit Feller, për radion tonë i citon zëdhënësi i policisë së Kombeve të Bashkuara, Neeraj Singh.
"Motivet ende nuk dihen, por është e qartë se ky ishte një sulm me snajper mbi një polic ndërkombëtar nga qyqarët që kishin për qëllim t'a vrisnin atë", citon zoti Singh, komisionerin e Policisë së Kombeve të Bashkuara, Stefan Feller. Sipas zyrtarëve të policisë,
emri dhe kombësia e policit tani për tani nuk do të bëhen publike, derisa të njoftohet familja e tij.
Lidhur me vrasjen e policit ndërkombëtar, kanë reaguar edhe përfaqësuesit e institucioneve të larta të Kosovës. Vrasjen e ka dënuar edhe ushtruesi i detyrës së shefit të Misionit të Kombeve të Bashkuara, Charles Brayshaw, duke e quajtur atë si një akt të neveritshëm. Ai ka shprehur bindjen se qytetarët e Kosovës janë tmerruar nga kjo vrasje, të cilën ai e quajti sulm të drejtpërdrejtë kundër forcave ndërkombëtare të rendit dhe ligjit. Përmes një
komunikate për shtyp, kryetari i Kosovës, Ibrahim Rugova e ka dënuar këtë vrasje dhe ka deklaruar se vrasja e policit ndërkombëtar duket të jetë vepër kriminale e ekstremistëve, që nuk e duan progresin e
Kosovës. Rexhep Hoti, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Bajram Rexhepi, duke e dënuar ashpër aktin e vrasjes së policit ndërkombëtar, ka thënë se aktet e tilla e dëmtojnë rëndë imazhin e Kosovës.
"Gjithsesi mendoj se akte të tilla dëmtojnë rëndë imazhin e Kosovës, dëmtojnë rëndë gjithë përpjekjet tona dhe të UNMIK-ut për t'a bërë ligjin, zot të funksionimit në Kosovë. Pavarësisht, në Kosovë do të
funksionojë ligji për të gjithë qytetarët dhe atë nuk mund ta mposhtë askush. Qeveria e Kosovës e dënon me gjithë forcën e saj krimin e kryer”, tha zoti Hoti.
Ramush Tahiri, këshilltar politik i kryetarit të Kuvendit të Kosovës Nexhat Daci, vrasjen e policit ndërkombëtar e ka cilësuar si akt kriminal që meriton dënimin e gjithë opinionit kosovar.
"Duke marrë parasysh që misioni ndërkombëtar në Kosovë është tejet i rëndësishëm, çdo sulm ndaj personelit të tij është sulm ndaj institucioneve të Kosovës dhe ndaj bashkësisë ndërkombëtare, e cila është duke bërë përpjekje shumë të mëdha për t'a stabilizuar gjendjen dhe për të instaluar demokracinë në Kosovë”, tha zoti Tahiri.
Ndërkaq, Dragisha Kërstoviç, shef i grupit parlamentar “Kthimi”, vrasjen e ka cilësuar si akt terrorist.
"Mund të them se ky është një akt terrorizmi dhe i dhunës dhe kjo tregon se ato janë në rritje. Unë i dënoj ashpër sjelljet e tilla, kushdo qoftë që i bën ato", tha zoti Kërstoviç. Sidoqoftë, autoritetet e rendit, kanë vendosur që për shkak të hetimeve të
mëtejshme në vendin e krimit, të mbyllin magjistralen Mitrovicë – Leposaviç, përkatësisht Albanik, ku aktualisht, siç raportohet gjendet një numër i madh forcash ndërkombëtare të rendit.
XS
SM
MD
LG