Ndërlidhjet

LUFTA KUNDËR KORRUPSIONIT NË MAQEDONI DUKET SE NUK KA EFEKTET E PRITURA


Sefer Tahiri, Shkup

Eksperti i çështjeve ekonomike Izet Zeqiri, vlerëson për Evropën e Lirë se përvoja e deritanishme në Maqedoni dëshmoi se asnjë qeveri nuk ka kapacitet që të ballafaqohet me kriminalitetin ekonomik, i cili egziston në shkallë të madhe.
"Sulme kriminale ndaj shoqërisë ka edhe tani në Maqedoni, mirëpo ato sot mund të realizohen në mënyra pak më specifike, nëpërmjet të cilave kryesit në mënyrë të paligjshme, e shfrytëzojnë ende pozitën, autorizimin, fuqinë. Bindja ime është se tani format më flagrante qëndrojnë më së shumti në aktivitetet ekonomike, që i bëjnë subjektet ekonomike, të stimuluara nga lidhjet me njerëz të pushtetit të politikës, pasi mbretëron një bindje se egziston kontroll më i madh në institucionet publike,"- tha zoti Zeqiri, duke shtuar: "Kam bindjen se qytetarët presin efektet ekonomike dhe financiare të luftës kundër korrupsionit dhe kriminalitetit ekonomik, më shumë sesa lojërat sanksionuese që bëhen ndaj disa politikanëve në emër të korrupsionit. Domethënë në Maqedoni nuk ka efekte, nuk ka rezultate kundër korrupsionit dhe kriminalitetit ekonomik".
Eksperti i çështjeve ekonomike Izet Zeqiri thotë më tej se që të ketë luftë efikase kundër këtij lloji të kriminalitetit, është e nevojshme që të ketë gjyqësi të paanshme dhe të pakorruptuar. Nga ana tjetër në Ministrinë e Punëve të Brendshme thonë se numri i aktpadive për vepra penale për këtë lloj të krimit, flet për suksesin e luftës kundër krimit ekonomik. Sipas Trajçe Sheqerovskit, zëvendës sekretar në policinë kriminale të Ministrinë e Punëve të Brendshme, ky është rezultat i bashkëpunimit të mirë midis institucioneve kompetente.
" Deri më sot nuk është kontestuar asnjë aktpadi penale nga Prokurori publik dhe kjo bazohet në bashkëpunimin e mirë dhe solid që e kemi me këtë institucion", tha Sheqerovski, duke vazhduar: "Gjithashtu për rezultatet e mira kontribuon edhe bashkëpunimi i mirë që kemi me institucionet e tjera, siç janë Drejtoria e Doganave, Drejtoria e Tatimeve dhe e të Ardhurave Publike, si dhe Drejtoria për Larjen e Parave dhe Komisioni Shtetëror për pengimin e korrupsionit", përfundoi Trajço Sheqerovski, i Ministrisë së Punëve të Brendshme.
XS
SM
MD
LG