Ndërlidhjet

EDHE PAS MILLOSHEVIQIT, MENTALITETI SERB NUK KA NDRYSHUAR


THE WASHINGTON TIMES

Serbët edhe një herë po e luajnë rolin e viktimave të përhershme në Evropë, duke u ankuar nga trajtimi i padrejtë i bashkësisë ndërkombëtare dhe duke rënkuar nga padrejtësia që u bëhet. Nëse pritej që mentaliteti serb të ndryshojë pas rënies së diktatorit Sllobodan Millosheviq, i cili akuzohet për krime të luftës, kjo megjithate nuk u vërejt gjatë vizitës së fundit të udhëheqësve të qeverisë serbe në Uashington.
Kaluan tre vjet nga bombardimi që NATO-ja i bëri Serbisë, për tu dhënë fund luftërave dhe agresioneve të serbëve ndaj fqinjëve të tyre ballkanikë.
E patrembur nga tmerret që i bëri, Serbia tani dëshiron ta rimarrë rolin udhëheqës në Ballkan. Derisa gjermanëve pas Luftës së Dytë Botërore u duheshin mbi dy dekada, që të ngrejnë kryet për të luajtur një rol në Evropë, serbët menjëherë e kërkojnë njohjen ndërkombëtare dhe ndihmën nga jashtë.
Gjatë një darke në klubin Metropoliten në Uashington, kryeministri i Serbisë Zoran Zhivkoviq dhe ministri i Jashtëm Goran Svilanoviq e shprehën frustrimin e tyre me qeverinë e Shteteve të Bashkuara dhe liderët e Bashkimit Evropian dhe të NATO-s.
"Janë tre gjëra që serbët nuk mund ti durojnë", tha zoti Zhivkoviq. "Kosova e pavarur, NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara". Këto fjalë vijnë nga vendi, i cili e dëshiron ndihmën e qeverisë amerikane për t'u futur në Bashkimin Evropian dhe Partneritetin për Paqe, një grupim i prirë nga Shtetet e Bashkuara.
Nga perspektiva e zotit Svilanoviq, për dështimin e Serbisë për t'u integruar në organizatat ndërkombëtare fajin kryesisht e kanë Uashingtoni dhe Brukseli. Pas takimit me Këshilltaren për Siguri Kombëtare Condoleezza Rice dhe sekretarin e Shtetit Colin Powell, ai i akuzoi ata për "mungesë të guximit" në shtyrjen përpara të rastit të Serbisë.
Për sa u përket liderëve të Bashkimit Evropioan, zoti Svilanoviq tha me mburrje se i ka qortua Javier Solanën dhe Chriss Pattenin për "kaosin" në të cilin gjendet unioni, që ka dështuar të merret me problemet reale të Evropës, të cilat sipas tij janë Rusia, Bellorusia dhe Ukraina. Padyshim se këta zotërinj e çmojnë këtë leksion.
Serbët veçanërisht janë të indinjuar për shkak se nuk i kanë marrë ndihmat e pritura ndërkombëtare. Por nga perspektiva e Uashingtonit dhe Brukselit, ekzistojnë disa pengesa specifike dhe të mëdha për rehabilitimin e Serbisë.
Njëra është që serbët ta dorëzojnë gjeneralin Ratko Mlladiq, të akuzuar për krime të luftës, i cili ishte kryearkitekti i spastrimeve etnike në Bosnjë në fillim të viteve të 90-ta. Zoti Zhivkoviq tha se qeveria e re nuk ka dijeni për vend-ndodhjen e gjeneralit të lartpërmendur, që sipas tij nuk gjendet në Serbi, por zyrtarët amerikanë janë tepër skeptikë për pohimet e tilla.
Një pengesë tjetër që habit është se serbët aktualisht i kanë paditur tetë vende të NATO-s, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, për bombardimin e Beogradit në vitin 1999. Të gjitha këto vende janë anëtare të Patneritetit për Paqe, ku serbët përpiqen të hyjnë. Qeveria aktuale ka refuzuar të heqë padinë, të nxitur nga zoti Millosheviq. Duhet të jesh serb për të besuar se mund të shënosh ndonjë progres në rrethanat e këtilla.
Gjithë kjo është një turp i madh. Ballkani i përfshirë nga stuhitë e luftës, është pjesa e fundit e kontinentit evropian që duhet ta ndërtojë paqen dhe stabilitetin ekonomik. Evropa Lindore dhe Qendrore janë në rrugë të mirë për t'iu bashkangjitur Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Serbia mund të jetë pjesë e rëndësishme e këtij projekti, por përderisa serbët nuk e ndryshojnë qëndrimin ndaj së kaluarës dhe të tashmes, ata vetë po largohen nga ardhmëria e tyre.
XS
SM
MD
LG