Ndërlidhjet

CEREMONI PËRKUJTIMORE PËR POLICIN E VRARË NË KRYE TË DETYRËS


Bekim Bislimi, Prishtinë

Hulumtimet do të përfshijnë të gjitha përpjekjet e mundshme për të ndriçuar rastin e vrasjes së policit ndërkombëtar Satish Menon dhe për të sjellë fajtorin para drejtësisë, ka thënë sot në një tubim përkujtimor për policin e vrarë, Zhan Kristian Kadi, zëvendës i përfaqësuesit special të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuar për Kosovën, për çështje të drejtësisë dhe policisë. Zoti Kadi ka thënë se vrasja e policit Menon, është një humbje e madhe për UNMIK-un, familjen dhe dy fëmijët e tij që ndodhen në Indi, të cilëve u ka shprehur ngushëllime.
"Ne paqeruajtësit e dimë se vendosja e rendit dhe ligjit nuk është një detyrë e lehtë, sepse ka rreziqe dhe gjatë kësaj detyre, disa prej nesh edhe mund t'a paguajmë çmimin e lartë, për të rënë për paqe,
si i ndodhi majorit Menon”, tha zoti Kadi, duke shtuar se dhuna ua ka marrë jetën edhe shumë vendorëve, por ajo nuk do të jetë më e fuqishme sesa përpjekjet për një shoqëri stabile, ishin këto mesazhet e zotit Kadi.
Ndërkaq kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, në emër të qeverisë së Kosovës, i ka shprehur familjes Menon dhe zyrtarëve të administratës ndërkombëtare, ngushëllimet për humbjen e zotit Menon.
"Ky akt kriminal ishte kundër demokracisë, rendit e ligjit, kundër bashkësisë ndërkombëtare, si dhe kundër popullit të Kosovës, por mendoj se askush nuk do të mund t’a ndalë procesin e demokracisë në Kosovë", tha kryeministri Rexhepi. Në vazhdim ai ka shprehur mendimin se pas këtij rasti, kolegët e Satish Menonit, do të jenë edhe më të fortë që t’i qëndrojnë luftës kundër të gjitha llojeve të krimeve në Kosovë.
Ndërkaq, komisioneri i policisë së Kombeve të Bashkuar, Stefan Feller tha se Kosova duhet ta ndërtojë paqën e saj të brendshme, kurse komuniteti ndërkombëtar, është aty që t’i mbështesë përpjekjet për
këtë qëllim. Ai theksoi se rendi dhe ligji janë çështje koekzistence për secilën shoqëri dhe se askush nuk do të mund të jetë mbi ligjin.
"Satishi nuk vdiq për arsye se ishte i përzier në krime, ai vdiq sepse ishte polic. Ai ishte shënjestër e njerëzve që e kundërshtojnë lirinë dhe paqen, të cilët janë armiq të Kosovë", theksoi Feller. Ai
premtoi se kjo vrasje nuk do ta ndalë policinë e UNMIK-ut që të shërbejë në Kosovë për të mirën e popullit të saj.
Sot, flamujt e Kombeve të Bashkuara në Kosovë janë lëshuar në gjysëmshtizë, kurse veturat e Policisë së UNMIK-ut qarkullojnë me shirita të zi, në shenjë respekti për majorin Satish Menon.
XS
SM
MD
LG