Ndërlidhjet

logo-print

UNMIK-U DHE KFOR-I NDËRMARRIN OPERACIONE NË VERI TË KOSOVËS, PAS VRASJES SË POLICIT NDËRKOMBËTAR


Zijadin Gashi, Prishtinë

Rreth 600 pjestarë të policisë së UNMIK-ut në bashkëpunim me ushtarët e KFOR-it kanë filluar dje një operacion në komunën e Leposaviçit, respektivisht Albanikut, që ndodhet në pjesën veriore të Kosovës, ku tre ditë më parë u vra polici i Kombeve të Bashkuara Satish Menon. Gjatë këtij operacioni, policia ka arrestuar tre shqiptarë, mirëpo sipas zyrtarëve të policisë rajonale, ata nuk janë arrestuar në lidhje me rastin Menon, por për shkak të armbëmbajtjes pa leje.
Zëdhënësja rajonale e policisë në Mitrovicë Trecy Becker, tha se policia dhe KFOR-i janë duke zhvilluar hetime në vendin ku është kryer krimi.
"Më 5 gusht të këtij viti, policia arrestoi 3 shqiptarë të Kosovës për shkak të armëmbajtjes pa leje. Dy prej tyre janë liruar, kurse njëri po mbahet në paraburgim", ka thënë Becker.
Ajo tha në vazhdim se hetuesit e rastit janë në kërkim të informacioneve nga vozitësit, të cilët natën e krimit kanë kaluar rrugës, në të cilën polici Menon u vra. Disa prej vozitësve, tha ajo, atë natë kishin ndaluar në vendin e ngjarjes, nga dëshira e tyre që t’i ofrojnë ndihmë policit Menon. Kurse zëvendësi i policisë rajonale Rober Bjork, pas interesimit të gazetarëve që të dinë më tepër për të arrestuarit, ka rikonfirmuar se personat e arrestuar nuk kanë lidhje me vrasjen e policit indian dhe ka shtuar se ata do të përgjigjen vetëm për shkak të armëmbajtjes pa leje. Ndërkohë që operacioni ka vazhduar, një ushtar i kontigjentit francez, dje pasdite ka bërë vetëvrasje. Këtë informacion e ka konfirmuar dhe Brigada Shumëkombëshe Veri-Lindje, përmes një komunikate, ku thuhet se ushtari është vetvrarë me armën e tij dhe ka lënë një letër të shkruar në vendin e ngjarjes. Mirëpo, KFOR-i nuk e ka publikuar emrin e këtij ushtari e as përmbajtjen e letrës, duke e arsyetuar këtë me respektimin e dinjitetit dhe familjes së tij. Operacioni në veri të Kosovës, sipas zyrtarëve ndërkombëtarë do të vazhdojë, ndërsa përveç konfirmimit për kërkimin e armëve ilegale, nuk jepen informacione rreth qëllimeve të tjera të këtij aksioni.

XS
SM
MD
LG