Ndërlidhjet

MENDËSIA SERBE NUK KA NDRYSHUAR EDHE PAS RËNIES SË MILLOSHEVIÇIT


The Washington Times

Serbët edhe njëherë po luajnë rolin e viktimave të përhershme në Evropë, duke u ankuar nga trajtimi i padrejtë i bashkësisë ndërkombëtare dhe duke rënkuar nga padrejtësia që u bëhet. Nëse pritej që mentaliteti serb të ndryshojë pas rënies së diktatorit Sllobodan Millosheviç, i cili akuzohet për krime lufte, kjo nuk u vu re gjatë vizitës së fundit të udhëheqësve të qeverisë serbe në Uashington. Kaluan tre vjet që nga bombardimi që NATO-ja i bëri Serbisë, për t'u dhënë fund luftërave dhe agresioneve të serbëve ndaj fqinjëve të tyre ballkanikë. E patrembur nga tmerret që bëri, Serbia tani dëshiron të rimarrë rolin udhëheqës në Ballkan. Derisa gjermanëve pas Luftës së Dytë Botërore, iu deshën mbi dy dekada që të ngrenë kryet për të luajtur një rol në Evropë, serbët e kërkojnë menjëherë njohjen ndërkombëtare dhe ndihmën nga jashtë. Gjatë një darke në klubin Metropoliten në Uashington, kryeministri i Serbisë Zoran Zhivkoviç, dhe Ministri i Jashtëm Goran Svilanoviç, e shprehën frustrimin e tyre me qeverinë e Shteteve të Bashkuara dhe liderët e Bashkimit Evropian dhe të NATO-s.
"Janë tre gjëra që serbët nuk mund t'i durojnë", tha zoti Zhivkoviç. "Kosova e pavarur, NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara". Këto fjalë vijnë nga vendi, i cili dëshiron ndihmën e qeverisë amerikane për t'u futur në Bashkimin Evropian dhe Partneritetin për Paqe, një grupim i prirë nga Shtetet e Bashkuara.
Nga perspektiva e zotit Svilanoviç, për dështimin e Serbisë për t'u integruar në organizatat ndërkombëtare fajin kryesisht e kanë Uashingtoni dhe Brukseli. Pas takimit me këshilltaren për Siguri Kombëtare, Condoleezza Rice dhe Sekretarin e Shtetit Colin Powell, ai i akuzoi ata për "mungesë të guximit" në shtyrjen përpara të rastit të Serbisë.
Përsa u përket liderëve të Bashkimit Evropian, zoti Svilanoviç, tha me mburrje se i ka qortuar Javier Solanën dhe Chriss Pattenin për "kaosin" në të cilin gjendet unioni, që ka dështuar të merret me problemet reale të Evropës, të cilat sipas tij janë Rusia, Bjellorusia dhe Ukraina. Padyshim se këta zotërinj e çmojnë këtë leksion.
Serbët veçanërisht janë të indinjuar për shkak se nuk i kanë marrë ndihmat e pritura ndërkombëtare. Por nga perspektiva e Uashingtonit dhe Brukselit, egzistojnë disa pengesa specifike dhe të mëdha për rehabilitimin e Serbisë.
Njëra është që serbët të dorëzojnë gjeneralin Radko Mlladiç, të akuzuar për krime të luftës, i cili ishte kryearkitekti i spastrimeve etnike në Bosnjë në fillim të viteve 90'. Zoti Zhivkoviç tha se qeveria e re nuk ka dijeni për vend-ndodhjen e gjeneralit Mlladiç, që sipas tij nuk gjendet në Serbi, por zyrtarët amerikanë janë tepër skeptikë ndaj pohimeve të tilla.
Një pengesë tjetër që habit, është se serbët aktualisht i kanë paditur tetë vende të NATO-s, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara për bombardimin e Beogradit në vitin 1999. Të gjitha këto vende janë anëtare të Partneritetit për Paqe, ku serbët përpiqen të hyjnë. Qeveria aktuale ka refuzuar të tërheqë padinë, të nxitur nga Sllobodan Millosheviçi. Duhet të jesh serb për të besuar se mund të shënosh ndonjë progres në rrethana të tilla.
Gjithë kjo është një turp i madh. Ballkani i përfshirë nga stuhitë e luftës, është pjesa e fundit e kontinentit evropian që duhet të ndërtojë paqen dhe stabilitetin ekonomik. Evropa Lindore dhe Qëndrore janë në rrugë të mirë për t'iu bashkangjitur Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Serbia mund të jetë pjesë e rëndësishme e këtij projekti, por përderisa serbët nuk e ndryshojnë qëndrimin ndaj së kaluarës dhe të tashmes, ata vetë po largohen nga ardhmëria e tyre.
XS
SM
MD
LG