Ndërlidhjet

MBI 100 MIJË NË MAQEDONI KANË ARMË TË PALIGJSHME, THOTË UNDP


Sefer Tahiri, Shkup

Pas rezultateve të hulumtimit të Programit Për Zhvillimin e Kombeve të Bashkuara UNDP dhe Inspeksionit për Armë të Lehta në Gjenevë, qytetarët e Maqedonisë gjithnjë e më shumë i shfrytëzojnë armët për zgjidhjen e konflikteve, njoftoi Alen Leton, menaxher programor i fushatës mediale për ngritjen e vetëdijes së opinionit për nevojën e dorëzimit vullnetar të armëve.
"Mosmarrëveshjet dhe konfrontimet tani, kur përdoren gjithnjë e më shumë armë, përkëqesohen në dhunë, në dallim nga vitet e kaluara, kur sjellje të tilla ishin më të pakta dhe nuk mund të paramendoheshin", thotë Leton duke i prezantuar të dhënat e UNDP-së. Duke folur për numrin e armëve të cilat mund të posedojnë qytetarët, ai tha:
"110 deri 170 mijë qytetarë disponojnë armë ilegale, ndërsa 40 % e familjeve në Maqedoni pajtohen me faktin se në vend ka shumë armë", tha Leton. Këtë përshtypje të qytetarëve të Maqedonisë, e konfirmoi edhe hulumtimi që gjatë 6 muajve të fundit, e realizoi Instituti për Demokraci, Solidaritet dhe Shoqëri Civile.
Në incidentet në Maqedoni gjatë 6 muajve të fundit, të gjitha viktimat janë pasojë e përdorimit të armëve ilegale të zjarrit. Në këtë hulumtim janë përfshirë qytetet e ish rajoneve të krizës si dhe Strumica dhe Prilepi. Numri i vikitmave në Tetovë është më i madh, ku 62 persona kanë vdekur si rezultat i përleshjeve në rrugë, në Kumanovë kanë humbur jetën 14 persona, ndërsa në Strumicë, Prilep dhe Strugë janë shkaktuar incidente tragjike nga armët ilegale gjatë gëzimeve familjare, ku ka humbur jetën nga një person. Sasia e armëve ilegale dhe shtimi i incidenteve si pasojë e tyre, është i pakontestueshëm, do të jetë njëra nga pikat kryesore, në të cilat do të bazohet fushata mediale e cila duhet të fillojë tani në gusht, por sipas përfaqësuesve të UNDP-së fillimin zyrtar do t'a ketë në një të ardhme të afërt. Bëhet fjalë për një projekt të madh që ka për qëllim të dëshmojë se mbajtja e armëve në shtëpi është rrezik potencial.
Në Maqedoni është formuar një trup koordinues për dorëzimin vullnetar të armëve. Një pjesë e fushatës parasheh të ketë spote në gjuhën shqipe dhe maqedonase, të cilat duhet të transmetohen në televizionet kombëtare dhe lokale, si dhe thirrje të cilat do të botohen në gazetat e përditshme shqipe dhe maqedonase.
Fushata për dorëzimin vullnetar të armëve, do të zgjatë nga 1 nëntori deri më 15 dhjetor.


XS
SM
MD
LG