Ndërlidhjet

logo-print

POLLO: NANO DHE META DUHET TË KRIJOJNË DY PARTI SOCIALISTE


Genc Pollo, kryetar i PDr

RADIO EVROPA E LIRË
Përfundimet e zgjedhjeve në Shqipëri gjithmonë janë kundërshtuar dhe kontestuar nga disa parti politike. A mendoni se këtë rradhë zgjedhjet do jenë të lira dhe të ndershme?

GENC POLLO
Unë shpresoj shumë në këtë dhe do përpiqemi me aq sa mundemi, pavarësisht se partia jonë është vënë në pozitën ku nuk ka pjesëmarrje të plotë në KQZ, që vota të jetë e mirëruajtur dhe e mirëregjistruar. Ky nuk është një test për një parti apo një tjetër. Ky është një test për të gjithë vendin. Në qoftë se zgjedhjet janë të mira, të lira, të ndershme, sipas standarteve evropiane dhe nuk kontestohen, nuk do pasohen nga bojkotet si ka ndodhur herë tjetër për fat të keq nga partia e parë apo e dytë, kjo do ishte diçka e mirë për të gjithë vendin. E nëse të gjithë themi në një kor që integrimi euro-atllantik është shumë i rëndësishëm për vendin, një nga pengesat për të ecur përpara në këtë pikë është pikërisht paaftësia e deritanishme për të mbajtur zgjedhje korrekte. Shpresojmë që t'a kapërcejmë këtë pengesë në 12 tetor.

RADIO EVROPA E LIRË
Kriza e shfaqur së fundi në Partinë Socialiste e mendoni se do të ketë ndikim në zgjedhjet e ardhshme?

GENC POLLO
Unë nuk e di sa do zgjatë kjo krizë dhe çfarë zgjidhje do marrë. Them se kontradikta është shumë e thellë dhe do ishte në çdo pikëpamje etike e paimagjinueshme që të dy palët të puqen prap në të njëjtën ombrellë. Do ishte lehtësuese për ta por dhe për politikën shqiptare që gjithkush të krijonte Partinë Socialiste të vetën. Sidoqoftë kjo është një çështje e tyre, që ndoshta mund t'a ndezë elektoratin socialist, por besoj që ne mbështetemi kryesisht në cilësinë dhe në forcën tonë për të arritur një rezultat të mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas mendimit tuaj a e dëmton opozitën dalja vetëm në zgjedhjet lokale?

GENC POLLO
Me mënyrën si i imponoi Berisha dhe Nano zgjedhjet, do ishte më e llogjikshme të kishim dy kandidatë për dy kampe. Por kemi patur një mosmarrëveshje me Partinë Demokratike, të cilët u treguan të ngurtë, interzigjentë, na vunë para faktit të kryer, na dhanë oferta të papranueshme, dhe tani jemi përgjithësisht secili më vete, dhe secila forcë politike do të testohet dhe do marrë votat e veta. E njëjta gjë ndodhi edhe me kampin tjetër. Kështu që mendoj se është një rast për partitë politike shqiptare, për të mos menduar për fitore dhe dizenjot e mëdha, por për të parë secila sa e ka vendin në elektoratin shqiptar, në terma përqindjesh.

RADIO EVROPA E LIRË
Së fundi ju keni kërkuar mbledhjen e një seance parlamentare, për të kërkuar mocion mosbesimi ndaj qeverisë Nano. Dua të di si vajti fati i firmave që ju mblodhët dhe përse Partia Demokratike nuk iu përgjigj ftesës suaj?

GENC POLLO
Partia Demokratike duhet të sqarojë arsyet e vërteta pse nuk përkrah një mocion mosbesimi. Unë u bëj thirrje që ata ta rishikojnë këtë qëndrim të tyre, sepse lëvizja me mocion mosbesimi, është e vetmja lëvizje e ligjshme që opozita ndërmerr kur mazhoranca është në krizë dhe kur kabineti qeveritar nuk mbledh dot votat e duhura në parlament, gjë që ka ndodhur. Nëse do t'ja lemë iniciativën Fatos Nanos, praktikisht ai do t'i zgjidhë gjërat në mënyrën e tij dhe kemi një përvojë me këtë. Nëse biem dakort që qeveria e PS, por sidomos qeveria Nano, po e mban vendin zvarrë, reformat kanë ngecur, rendi dhe shteti ligjor nuk kanë shënura hapa përpara, por vende vende ka bërë dhe hapa mbrapa, ndërkohë që rritja ekonomike është realisht sa gjysma e asaj që shpall qeveria, faktikisht ndryshimi duhet filluar nga koka dhe ndryshimi duhet filluar nga qeveria Nano. Rasti për të sjellë këtë ndryshim është pikërisht ky moment kur ata janë në krizë dhe kur parlamentarët që kundërshtojnë kabinetin Nano nuk janë deputetët e opozitës.

Intervistoi Alma Çupi
XS
SM
MD
LG