Ndërlidhjet

TIRANË- JAVË E POSAÇME AKTIVITETESH PËR LUMTURIMIN E NËNË TEREZËS


Alma Çupi, Tiranë

Në Shqipëri do të krijohet një javë e posaçme për lumturimin dhe nderimin e Nënës Terezë. Sot në Katedralen e Kishës Katolike në Tiranë, trashëgimtari i fronit Mbretëror Leka Zogu, Imzot Rrok Mirdita dhe ambasadori i Shqipërisë në Vatikan Zef Bushati, u mblodhën për t'i kërkuar shtetit shqiptar që t’i bëhen nderimet që duhen figurës së Nënë Terezës. Gjatë bisedës, Imzot Rrok Mirdita tha se për figurën e Nënës Terezë duhej të ishte bërë shumë më tepër.
"Nënë Tereza ka merituar që t'i kushtohet shumë më tepër vëmendje. Në shumë gjera jemi pak me vonesë", tha Imzot Rrok Mirdita. Ndërsa trashëgimtari i fronit Mbretëror Leka Zogu, jo vetëm që mbështeti imzot Rrok Mirditën, por kërkoi që të mos ndodhnin më incidente përsa i përket prejardhjes së Nënës Terezë.
Ambasadori i Shqipërisë në Vatikan Zef Bushati, tha për Europën e Lirë, se Vatikani i ka kthyer përgjigje notës zyrtare të dërguar nga ambasada e Shqipërisë në Selinë e Shenjtë, një përgjigje ku thuhet se Nënë Tereza ka qenë shqiptare.
"Ambasada e Shqipërisë në Selinë e Shenjtë në Vatikan, menjëherë reagoi nëpërmjet një note zyrtare drejtuar sekretarisë së shtetit të Vatikanit. Ata e kthyen menjëherë përgjigjen që për Vatikanin Nënë Tereza ka qenë dhe është shqiptare. Këhstu që edhe ajo përpjekje, e cila u bë realisht, mendoj që dështoi shumë shpejt", tha ambasadori Zef Bushati.
Përpara disa ditësh, një grup intelektualësh shqiparë, mes të cilëve emra të njohur të fushave të ndryshme, i kërkuan bashkisë së Romës, që të mos miratonte kërkesën e qeverisë maqedonase për vendosjen e
statujës së Nënës Terezë në Romë, me mbishkrimin Nënë Tereza, bijë e Maqedonisë. Nota e protestës së intelektualëve shqiptarë, iu drejtua edhe qeverisë shqiptare dhe parlamentit, i cili doli me një rezolutë të përbashkët, ku bëhej fjalë për organizimin e ceremonive të posaçme dhe vënien e statujës së Nënë Terezës në sheshin me të njëjtën emër në qendër të kryeqytetit.
XS
SM
MD
LG