Ndërlidhjet

N.MUSTAFA: PRIVATIZIMI DO TË AFTËSOJË NDËRMARRJET PËR PRODHIM, PUNËSIME TË REJA DHE SHTIM TË TË ARDHURAVE KOMBËTARE


Nazmi Mustafa, profesor i Fakultetit të Ekonomisë në Prishtinë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Mustafa, janë kryer privatizimet e para dhe ka mendime të ndryshme lidhur me to. Juve si do i vlerësonit?

NAZMI MUSTAFA
Së pari, edhe pse me një vonesë të madhe, është shumë mirë që ka filluar privatizimi dhe shitja e objekteve të para. Unë mendoj se kjo shitje është një provë si për ata që ofrojnë për blerje ashtu dhe për AKM-në. Edhe pse e thatë se ka mendime të ndryshme, mendimi im personal është që shitja është bërë në mënyrë të pranueshme juridike edhe praktike dhe gjithashtu përfaqëson një nisëm të mirë që objektet, të cilat pas shumë vitesh me rradhë, dhjetë vjet nën Sërbinë dhe katër vjet pa status me UNMIK-un, do të ngjallen së shpejti.

RADIO EVROPA E LIRË
Sindikata e Kosovës ka vërejtje për privatizimin e ndërmarrjeve të para. Si do t'i vlerësonit këto vërejtje?

NAZMI MUSTAFA
Unë mendoj se sindikata ka patur vërejtje edhe gjatë kohës kur është bërë aprovimi i Rregullores mbi privatizimin, pasi e kanë patur një vend në bord. Janë përcaktuar përfundimisht çështjet, të cilat në rregullore janë paraparë me politikat operacionale dhe moskënaqësia e punëtorëve, të organizuar ose mjaf të organizuar përmes sindikatës, për mendimin tim nuk do të ketë ndonjë ndikim në proçesin e privatizimit. Është bërë një zgjidhje jo fatlume, por pjesa e cila mund të jetë e ndarë për punëtorët, është njëfarë simbolikë e të drejtës së tyre në pronën, e cila shitet. Prandaj, nuk mendoj që është punë e mençur të shikohet dhe të flitet për shitje të lirë ose të pa drejtë, por sindikata edhe punëtorët, sipas mendimit tim, në çdo kolektiv me menaxhmentin e tyre, duhet të përgatiten me kohë të gjejnë partnerë dhe të japin ofertat e veta për blerjen e ndërmarrjeve, objektit ose të një pjese të objektit. Kjo do të ishte rruga që edhe ata të jenë pronarë të një pjese të fabrikave, në varësi të fuqisë së tyre financiare, por edhe të shfrytëzojnë të drejtën e 20 % nga çmimi shitës i objekteve.

RADIO EVROPA E LIRË
Meqënëse po flasim për çmimet e shitjes, ka vërejtje se ato janë shumë të ulta. Sa qëndrojnë këto vërejtje?

NAZMI MUSTAFA
Unë mendoj se sistemi i formimit të çmimit shitës përmes tenderit dhe ofertës është real dhe i drejtë. Së dyti, nuk mendoj se formohen çmime të lira, sepse çdo blerës i cili e ofron një çmim për një fabrikë, ose për një objekt të caktuar, duhet ditur se pothuajse e njëjta shumë duhet të jetë e nevojshme që të bëhen investime të reja për aftësimin të këtyre fabrikave dhe objekteve që të bëhen konkurente në treg. Prandaj, aty duhet të shikohet në prizmin e perspektivës së aftësimit të një fabrike, e jo pse dikush e ka blerë me çmim të lirë. Sipas mendimit tim, shumë më me rëndësi është karakteri i blerësit dhe synimi i tij, nëse është real për t’a aftësuar atë kolektiv, sepse kjo do të thotë vende të reja pune, produkte të reja, shtim të të ardhurave kombëtare të Kosovës, do të thotë eksport dhe shumë gjëra të tjera. Unë mendoj se vlerësimi i privatizimit përmes çmimit të lirë nuk është i drejtë. Në shtetet e tjera socialiste ka patur shembuj kur është shitur një fabrikë për vetëm një dollar, por ka patur obligime rreth investimeve, rreth punëtorëve dhe shumë gjërave tjera. Këtu është një model tjetër, spinoff-i, dhe për këtë arsye duhet të shikohet edhe çmimi në prizmin e të gjitha obligimeve, të cilat merren përsipër për aftësimin e objektit.

Intervistoi Gëzim Baxhaku

XS
SM
MD
LG