Ndërlidhjet

QEVERIA E KOSOVËS PËRGATITET PËR NGRITJEN E GRUPIT TË EKSPERTËVE PËR BISEDIMET ME BEOGRADIN


Zijadin Gashi, Prishtinë

Pavarësisht veprimeve të Serbisë dhe kushtetutave që miratohen atje, që e përfshijnë Kosovën si pjesë të saj, Qeveria e Kosovës do t’i bëjë të gjitha përgatitjet e duhura për fillimin e bisedimeve për çështjet praktike me Beogradin, thonë zyrtarë nga kabineti i kryeministrit të Kosovës. Ndërsa deri në fillimin e bisedimeve vlerësohet se do të pritet dhe ardhja në Kosovë e shefit të ri të UNMIK-ut, Rexhep Hoti, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, thotë se qeveria është në fazën përgatitore të ngritjes së stafit të ekspertëve, ku sipas tij do të përfshihen si ekspertë nga qeveria, ashtu edhe nga shoqëria civile. Në këtë aspekt, Hoti e sheh si të rëndësishme dhe ndihmën që kanë ofruar përfaqësitë e zyrave të huaja diplomatike në Prishtinë, sidomos zyra amerikane, që t’i ndihmojnë ekspertët kosovarë përmes trajnimeve të ndryshme, para se bisedimet me vendet tjera të rajonit të fillojnë:
"Ne në Kosovë në këtë drejtim jemi pa përvojë dhe trajnimet janë shumë të nevojshme. Çdo ndihmë që vjen qoftë nga Shtetet e Bashkuara apo shtetet e tjera ne jemi të hapur për t'a pranuar, sepse jemi të vetëdijshëm se kemi shumë gjëra për të mësuar, kemi shumë gjëra që na mungojnë, qoftë në përvojë, qoftë në kualifikime të ndryshme dhe natyrisht kemi nevojë për një ndihmë të tillë", ka thënë zoti Hoti, ndërkohë që edhe shefi i grupit të deputetëve të koalicionit “Kthimi” Dragisha Kërstoviç e ka përshëndetur nismën e qeverisë së Kosovës, që të formojë grupin e ekspertëve të cilët do të ndihmoheshin nga qeveria amerikane, përmes zyrës së saj në Prishtinë:
"Unë jam i njoftuar me përpjekjet e qeverisë së Kosovës dhe zyrës amerikane dhe mendoj se është krejt në rregull, sepse për fazën e parë ku do të diskutohen disa çështje praktike duhet të vijë në shprehje angazhimi i ekspertëve", thotë Kërstoviç, për të shtuar se më pas, në fazat e tjera të bisedimeve, duhet të përfshihen gjithashtu dhe politikanët.
Në anën tjetër, Rexhep Hoti, nga kabineti i kryeministrit, thotë se para fillimit të dialogut, pala kosovare duhet të përcaktohet si plotësisht e barabartë me atë të Beogradit. Pa përcaktimin e palëve të barabarta, sipas Hotit, është më se e qartë që Beogradi po e shfrytëzon këtë çështje, për të cilën e ka fajësuar dhe përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Havier Solanën, për favorizim të Beogradit në procesin e paralajmëruar të bisedimeve:
"Gjithnjë po shihet më qartë se politikanët serbë po përpiqen të përfitojnë nga ky vakuum që momentalisht ekziston në rajon, përpiqen të përfitojnë dhe nga mungesa e kompetencave të institucioneve të Kosovës, nga disponimi të themi deri diku i favorshëm për Serbinë që ekziston në Bruksel, në veçanti kontribut të madh proserb ka bërë zoti Solana e në veçanti gabimi kryesor që lindi me pikën e preambulës së Kushtetutës", ka thënë Rexhep Hoti, duke shtuar se për Kosovën dhe institucionet e saj, këto bisedime paraqesin mundësi për ndërtimin e marrëdhënieve të mira me të gjitha vendet, por tha ai, kurrsesi nuk nënkuptohet që me fillimin e këtij dialogu, Kosova do të diskutojë ndonjë gjë që i përket statusit të saj, pasi qëndrimi i Qeverisë theksoi Hoti, është se pavarësia e Kosovës nuk ka çmim dhe është e panegociueshme.


XS
SM
MD
LG