Ndërlidhjet

B.DUGOLLI: INSTITUCIONET DHE FORCAT POLITIKE NË KOSOVË DËNOJNË ÇDO FORMË TË DHUNËS


Bujar Dugolli, deputet i AAK-së në Kuvendin e Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Dugolli, flitet se qeveria amerikane dhe komuniteti ndërkombëtar do të ndihmojnë për krijimin e një strategjie të përbashkët të delegacionit kosovar, në bisedimet për çështje teknike me Beogradin, të cilat janë paralajmëruar se do të fillojnë në muajin shtator. Si do ta vlerësonit një nismë të tillë?

BUJAR DUGOLLI
Çdo iniciativë që shkon për përmirësimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore në mes Kosovës dhe Serbisë, dhe kryesohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është për ne dhe për partinë tonë, për t'u përshëndetur. Ne, edhe në takimet e fundit që kemi patur në kryesinë e Aleancës, kemi kërkuar që në çdo proces që ka të bëjë me këto të ashtuquajtura bisedime për çështje teknike, apo në ndonjë proces tjetër, që çon deri te rregullimi i marrëdhënieve ndërfqinjësore, duhet që rolin kryesor ta kenë SHBA-të, sepse janë ato, të cilët kanë kontribuar më së shumti për vendosjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon. Mendoj që edhe në proceset përfundimtare që do të çojnë në definimin e statusit të Kosovës, përsëri SHBA-të duhet të kenë rolin e tyre të rëndësishëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Parlamenti serb, si pikë të parë të mbledhjes së tij, do të ketë miratimin e një platforme, ku parashikohet që Kosova të jetë pjesë përbërëse e Serbisë. Sa mund të ndikojë kjo në mbarëvajtjen e bisedimeve?

BUJAR DUGOLLI
Është për të ardhur keq që edhe vetë Bashkimi Evropian, nuk është i qartë për t'i ndaluar këto provokime që është duke i bërë Serbia zyrtare, me tendencë të aneksimit kushtetues, në mënyrë që t'ia përgatiti vetes situatën për aneksimin apo kthimin nën kontrollin e vet të Kosovës, siç e kishte në kohën e Millosheviçit apo më herët. Ne këto tendenca i shohim si me qëllim të keq dhe me elemente të rrezikshme të destabilizimit, sepse dihet vullneti i popullit të Kosovës dhe i subjekteve politike, që e transmetojnë këtë vullnet edhe në institucionet e Kosovës. Mendoj që Beogradi nuk ka ndryshuar aspak llogjikën e vet të mëparshme, por është duke i bërë kozmetikë, duke i shitur farsë edhe komunitetit ndërkombëtar sa i përket Kosovës. Në këtë rast është për të ardhur keq që ne nuk kemi një palë serioze për t’i diskutuar edhe çështjet teknike që janë implikime në mes Kosovës, Serbisë dhe rajonit, përveçse me ata zyrtarë dhe më atë qeveri, e cila Kosovën e konsideron si vend, i cili është pushtuar përkohësisht. Lind pyetja se nga kush qenka pushtuar? Domethënë edhe faktorin ndërkombëtar, e cilëson si okupator apo pushtues dhe institucionet vetqeverisëse të Kosovës, i konsideron si joadekuate në raport me Serbinë. Ky është një problem që paraqitet edhe për zhvillimet tjera që duhet të ndërmerren dhe ne duhet të jemi shumë të vëmendshëm. Sa i përket partisë sonë, nuk janë prioritet bisedat në këtë kohë, as për çështje teknike, ndërkaq sa i përket statusit, është
vendim i yni partiak, që çështjen e pavarësisë së Kosovës nuk do e negociojmë me Beogradin. Domethënë të gjitha ato implikime që do t’i kemi ne si shtet i pavarur, karshi vendeve të rajonit dhe, në këtë rast, të Serbisë, jemi të gatshëm t’i diskutojmë me komunitetin ndërkombëtar, me SHBA-të, si vend që ka kontribuar dhe vazhdon të kontribojë për rajonin dhe t’i kryejmë ato obligime apo standarde, të cilat i parasheh Bashkësia Ndërkombëtare, qoftë për minoritetet, qoftë për raportet ndërfqinjësore që duhet t’i kemi e në këtë rast edhe me Serbinë. Çështjen e statusit ne nuk do ta negociojmë me Beogradin. Ky është qëndrim i partisë sonë dhe mendojmë që këtë
qëndrim do ta shtyjmë bashkarisht edhe me partnerët tanë, me të cilët jemi duke e qeverisur Kosovën në mënyrë që të kemi një qëndrim të përbashkët lidhur me këtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Dugolli, kalojmë në një çështje tjetër. Kohëve të fundit Kosova është përballur me një valë të re dhune, me vrasjen e tre qytetarëve në Pejë dhe të një polici ndërkombëtar. Komandanti i KFOR-it, Fabio Mini ka thënë se Kosova kërcënohet nga ekstremizmi brenda kufijve të saj. Si i vlerësoni ju këto komente dhe zhvillimet e fundit në aspektin e sigurisë përgjithësisht?

BUJAR DUGOLLI
Ne e dimë që ka ekstremizëm të organizuar, që bëhet nga forcat ekstreme, nga ata të cilët kanë dështuar dhe e kanë humbur pushtetin në Serbi dhe përmes mekanizmave të tyre dhe shërbimeve të tyre sekrete, qoftë në Kosovën veriore, qoftë në enklava, prodhojnë dhunë dhe vrasje,shumica e të cilave mbeten enigmatike. Ai është ekstremizëm i organizuar, do me thënë që bartet nga Serbia në Kosovë
dhe fatkeqësisht këtë nuk e ka parandaluar as KFOR-i, e as policia e UNMIK-ut. Në veriun e Kosovës, dihet se çfarë ndodhi ditët e fundit. U vra edhe një pjestar i forcave të policisë së UNMIK-ut, në një territor që kontrollohet nga ekstremistët serbë. Ka elemente apo
refleksione të dhunës edhe nga palët tjera, por këto janë si pakënaqësi e gjendjes në Kosovë, domethënë, si pakënaqësi edhe e gjendjes sociale-ekonomike, politike, gjykimeve apo dënimeve, që nga popullata konsiderohen se bëhen të padrejta ndaj pjesëtarëve të ish-UÇK-së. Por, këto janë reagime të çastit, nga njerëz të cilët kanë filluar të mos i besojnë drejtësisë, të cilën është duke e interpretuar apo aplikuar UNMIK-u në Kosovë. Por, sido që të jetë, institucionet edhe forcat politike në Ksosovë, nuk e përkrahin dhe e
dënojnë çdo formë të dhunës, që ka për qëllim destabilizimin apo prishjen e imazhit të Kosovës. Sa i përket ekstremizmit të organizuar,mendoj se Bashkësia Ndërkombëtare duhet të bashkëpunojë me
institucionet vendore të sigurisë, qoftë me Shërbimin Policor të Kosovës, i cili po ndërtohet dita –ditës, por edhe me Trupat Mbrojtëse të Kosovës, të cilat mund të japin një kontribut shumë të madh në zbulimin e këtyre rasteve. Normalisht, për dhunën spontane, që lind nga ndonjë qytetar i pakënaqur me zhvillimet aktuale apo
me politikën e UNMIK-ut dhe institucioneve të Kosovës, këtë duhet ta bëjmë, duke i përmirësuar gabimet që po bëhen qoftë në sistemin e drejtësisë, qoftë në sistemin e sigurisë së brendshme në Kosovë.

Intervistoi: Bekim Bislimi

XS
SM
MD
LG