Ndërlidhjet

STATUSI FINAL I KOSOVËS NUK ZGJIDHET ME BISEDIME, POR PËRMES ZBATIMIT TË VULLNETIT POLITIK TË POPULLIT


Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haradinaj, partia juaj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka dalë sot me disa qëndrime, përfshirë edhe definimin e statusit përfundimtar të Kosovës. A mund të na sqaroni pak këtë pozicion tuajin lidhur me statusin?

RAMUSH HARADINAJ
Duke u bërë një vlerësim real zhvillimeve dhe procesit në Kosovë, dhe duke konstatuar të arriturat e mëdha në të gjitha fushat e jetës, si dhe domosdoshmërinë e përparimit të mëtejshëm, AAK e konsideron të domosdoshme, pra edhe si të kohës, kompletimin e qeverisë së Kosovës me të gjitha ministritë e nevojshme. Po ashtu, ne e konsiderojmë si të domosdoshme dhe të kohës, që të hartohet kushtetuta e Kosovës, e cila do të mundësonte funksionimin e qeverisë së kompletuar, do të krijonte rrethanat dhe infrastrukturën ligjore për rendin publik dhe sundimin e ligjit në Kosovë në një nivel më të lartë. Këto dy veprime që presim t’i realizojmë në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare të pranishme në Kosovë dhe me kryeadministratorin e ri që do të vijë, përbëjnë bazën, më të cilën do të mundësohet që populli i Kosovës të deklarohet, ose të vendosë për vullnetin e vet. Ne konsiderojmë se statusi final i Kosovës nuk është një çështje, e cila zgjidhet me negociata dhe me biseda, por kjo çështje zgjidhet përmes zbatimit të vullnetit politik të popullit të Kosovës për të ardhmen e Kosovës, i cili është që Kosova të jetë shtet sovran dhe i pavarur. Kjo formë është demokratike, prandaj avancimi në këtë drejtim nuk mund të nënkuptohet si paragjykim, por vetëm si ndihmë dhe si mbështetje për zgjidhjen përfundimtare të statusit përfundimtar të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haradinaj, kërkesat tuaja për kompletimin e qeverisë së Kosovës dhe për avancimin e pozitës së saj kushtetuese mbi çfarë janë bazuar? Çfarë ka ndryshuar në Kosovë që ju ka bërë të dilni me këto kërkesa?

RAMUSH HARADINAJ
Mendoj se qeveria e Kosovës, sikurse edhe institucionet e tjera të Kosovës, me punën e tyre të deritanishme, kanë dëshmuar jo vetëm funksionalitet, por edhe përgjegjësi në punë. Meqenëse jemi në rrethana kohore, ose në kohën kur mandati i këtyre institucioneve është deri vitin që vjen, duhet që të krijohen mundësitë për ushtrimin e përgjegjësive, për funksionimin e qeverisë edhe në fushat e tjera. Pra që të kompletohet qeveria dhe në këtë mënyrë të krijohet edhe përvoja e nevojshme, mënyrë që në mandatin e ardhshëm, gjithçka të jetë e përgatitur për vetadministrimin e Kosovës.
Sa i përket bazës kushtetuese të Kosovës, korniza kushtetuese e Kosovës dhe përgjegjësitë e mundësitë që ka sjellë për ndërtimin e institucioneve vetqeverisëse, ka ndihmuar që në përgjithësi situata në Kosovë, e me këtë edhe situata kushtetuese e Kosovës, të konsiderohet si e konsoliduar për përparime të mëtejshme. Nëse kësaj i shtojmë edhe kërkesën e popullit të Kosovës që të ndodhin këto përparime, e shohim pra jo vetëm si të kohës, por edhe të domosdoshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haradinaj, cili është qëndrimi juaj për bisedimet me Beogradin për çështje teknike, që janë paralajmëruar për këtë verë apo në fillim të vjeshtës?

RAMUSH HARADINAJ
Ne mendojmë se kontakti me vendet fqinje, me të gjitha vendet e në këtë rast edhe me Serbinë, bisedat që kanë të bëjnë me çështje të ndërsjella, që nuk janë politike dhe që nuk nënkuptojnë biseda për të ardhmen tonë dhe për negociimin e të ardhmes sonë apo të vullnetit tonë politik, janë të dobishme dhe i mbështesim ato. Por, është tjetër gadishmëria e palës serbe dhe qasja e tyre. Mendojmë se veprime të tilla si përfshirja e Kosovës në projektkushtetutën e Serbisë që pritet të aprovohet, nuk është në të mirë të normalizimit dhe ndërtimit të marrëdhënieve të mira në mes të Kosovës dhe Serbisë, po përkundrazi i kthen mbrapa ato raporte.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haradinaj, gjatë javës do të keni një takim me kryadministratorin e ri të Kosovës. Cilat do të jenë kërkesat tuaja për prioritetet e tij, për çështjet që ai duhet t'i vërë në krye të agjendës?

RAMUSH HARADINAJ
Mendojmë se ajo që është kryesorja dhe që kërkon një veprim efikas të kryeadministratorit të Kosovës, është kompletimi i qeverisë së Kosovës me të gjitha ministritë e nevojshme. Do të ishte gabim i madh sikur të vazhdojë një rreth vicioz rreth kalimit të kompetencave, e të mos ndërmerret një hap konkret për kompletimin e qeverisë së Kosovës. Gjithashtu me rëndësi është krijimi i një adrese për të gjitha preokupimet në Kosovë, qofshin këto të vendorëve, qofshin të bashkësisë ndërkombëtare, si dhe interesimi i fqinjëve për Kosovën. Vonesa në krijimin e këtyre adresave, mendojmë se është e dëmshme. Pra, konsideroj se veprimi i parë në të cilin duhet të angazhohemi dhe në të cilin do t’i ofrojmë bashkëpunim kryeadministratorit Holkeri, është kompletimi i qeverisë së Kosovës.

Intervistoi Rrahman Paçarizi

XS
SM
MD
LG