Ndërlidhjet

HOLKERI MBËRRIN NESËR NË KOSOVË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Kushtetuta e Serbisë, pavarësisht nëse Kosova do të përfshihet apo jo në të, nuk mund të ketë kurrfarë ndikimi mbi statusin përfundimtar të Kosovës, kanë thënë sot zyrtarët e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Zëdhënësja e këtij misioni Izabela Karlowitz i ka bërë këto vlerësime, duke komentuar qëndrimet e ndryshme të shprehura gjatë javës së fundit, pas paralajmërimeve të zyrtarëve serbë se Kosova do të përfshihet në kushtetutën e re si pjesë e Serbisë. Ajo me këtë rast ka përsëritur qëndrimin e UNMIK-ut se për statusin përfundimtar të Kosovës nuk mund të vendosin veprimet e njëanshme: “Statusi përfundimtar i Kosovës mund të përcaktohet vetëm nga KS i OKB-së siç kemi thënë tashmë, ndërsa ky status nuk do të jetë fare i ndikuar nga kushtetuta serbe”, tha zëdhënësja Karlovitz, duke mos dashur të komentojë qëndrimet e fundit të zyrtarëve të ndryshëm në Kosovë dhe rajon lidhur me këto paralajmërime dhe pasojat e mundshme.
Këto komente janë bërë vetëm një ditë para se shefi i ri i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Harri Holkeri të vijë në Kosovë për herë të parë në këtë cilësi. Në të vërtetë, sipas zëdhënëses Karlowitz, kryeadministratori i ri i Kosovës, finlandezi Harri Holkeri do të vijë në Kosovë nesër pasdite, për t’u takuar në mbrëmje me strukturat e UNMIK-ut, si dhe me komandantin e forcës paqëruajtëse KFOR, gjeneralin Fabio Mini. Të enjten ndërkaq, zoti Holkeri do të ketë takimet e para me kryetarin Ibrahim Rugova, kryeministrin Bajram Rexhepi, me kryeparlamentarin Nexhat Daci, si dhe me liderët partiakë, Ramush Haradinaj, Arsim Bajrami dhe Oliver Ivanoviç. Pas këtyre takimeve zoti Holkeri do të mbajë edhe takimin e parë me gazetarët, ndërsa të premten do të udhëtojë për në Beograd ku do të takohet me zyrtarë të Unionit Serbi Mali i Zi, para se të udhëtojë për në vendin e tij Finlandë për t’u bërë gati që të marrë edhe zyrtarisht detyrën e re në Kosovë.


XS
SM
MD
LG