Ndërlidhjet

QEVERIA E SERBISË MIRATOI NJË PROPOZIM-DEKLARATË SIPAS SË CILËS KOSOVA ËSHTË PJESË E SERBISË


Marash Berisha, Beograd

Në këtë deklaratë thuhet se për statusin e Kosovës nuk mund të bëhet fjalë, derisa të mos realizohen të gjitha dispozitat e rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përqartësisht del që të mos plotësohen standartet e jetës shumëkombëshe. Me këtë rast kryeministri i Serbisë Zoran Gjinxhiç deklaroi:
" Unë pres se deklarata do të miratohet unanimisht, kështu ka qenë edhe me dy të mëparshmet në tre vitet e fundit. Vetëm ai që dëshiron të luajë rolin e opozitës sa për opozitë, ose ai që është gjithnjë kundër çdo gjëje, mund të votojë kundër një deklarate të tillë," tha kryeministri Zhivkoviç, për të konkluduar " Unë pres se rreth kësaj teme, pa marrë parasysh mendimet e ndryshme do të arrihet pajtueshmëria". Një nga kërkesat e deklaratës është që organet kompetente shtetërore të marrin të gjitha masat legale dhe legjitime për mbrojtjen e bashkësisë kombëtare serbe dhe të bashkësive të tjera etnike, të cilat privohen nga të drejtat e tyre. Aplikimi i tanishëm i rezolutës 1244, vlerësohet i pakënaqshëm dhe shqetësues, me tejkalime të shpeshta të mandatit nga ana e nënpunësve të administratës ndërkombëtare, ndërsa shumica shqiptare po i shkel dispozitat e rezolutës dhe po zbaton diskriminimin etnik, thuhet në projekt-rezolutë. Ministri i Drejtësisë në qeverinë e Serbisë, Vlladan Batiç deklaroi:
" Kosova do të ketë në kushtetutën e Republikës së Serbisë, të njëjtën pozitë dhe të njëjtin status sikurse krahina autonome e Vojvodinës. Ç'është e vërteta, për shkak të pranisë së bashkësisë ndërkombëtare, kompetencat e Kosovës në përputhje me rezolutën 1244, aktualisht janë pezulluar," theksoi Batiç, "por Kosova do të figurojë si pjesë Serbisë sovrane e njëkohësisht e bashkësisë shtetërore të Serbisë dhe Malit të Zi."
Projekt-rezoluta do të paraqitet për miratim në Kuvendin e Serbisë, në sesionin e shtatorit të Kuvendit të Serbisë e do t'i prezantohet edhe kryeadministratorit të ri të UNMIK-ut, diplomatit finlandez Hari Holkerit.


XS
SM
MD
LG