Ndërlidhjet

BRUKSEL


Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme Havier Solana ka bërë thirrje për bashkëpunim me shefin e ri të UNMIK-ut Harri Holkerin, dhe e ka theksuar rëndësinë e rezolutës 1244 për statusin e ardhshëm të Kosovës.
"Zbatimi i plotë i rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara mbetet gurthemel në angazhimin e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, thuhet në komunikatën e Solanës me rastin e ardhjes së Holkerit në Kosovë.
"U bëj thirrje të gjitha palëve të interesuara për bashkëpunim konstruktiv me të dërguarin e ri për zbatimin e plotë të rezolutës 1244", thotë Solana, duke shtuar se Kosova mbetet prioriteti kryesor i Bashkimit Evropian dhe "pjesë integrale e perspektivës së Ballkanit Perëndimor".
Solana gjithashtu u bën thirrje të gjitha palëve në Kosovë dhe rajon të përmbahen nga hapat e njëanshëm, që do ta rrezikonin qëllimin, i cili është ndërtimi i Kosovës stabile, shumë etnike dhe demokratike.
Sipas tij, baza për ardhmërinë e statusit të Kosovës është rezoluta 1244, ndërsa "aktet e njëanshme nuk kanë rëndësi".
"Gjithashtu dëshiroj t'u bëj thirrje të gjitha palëve të përqëndrohen në zbatimin e politikës standardet para statusit, dhe të përkujtohen për rëndësinë që ia kushtojmë fillimit sa më të shpejtë të dialogut të drejtpërdrejtë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit mbi çështjet praktike të interesit të ndërsjellë", thuhet në komunikatë.
XS
SM
MD
LG