Ndërlidhjet

D. CHAPPELL: " PERSONAT E ARRESTUAR NUK JANË EKSTREMISTË POR DRUVARË"


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Incidenti i djeshëm në kufirin Kosovë-Serbi nuk ka të bëjë me ndonjë sulm të armatosur të ekstremistëve shqiptarë, siç kanë njoftuar autoritetet serbe, por bëhet fjalë për tre druvarë shqiptarë që kishin kaluar kufirin për të prerë dru, kanë thënë sot autoritetet e policisë ndërkombëtare në Prishtinë. Një zëdhënës i policisë, Derek Chapell tha se nuk kishin marrë asnjë informacion zyrtar nga Serbia, mirëpo një fshatar lokal kishte njoftuar policinë e UNMIK-ut se tre shqiptarë të Kosovës ishin arrestuar nga ushtria serbe:
“Dje pasdite në orën 3:45 një grup shqiptarësh të Kosovës kishin shkuar për të prerë dru ilegalisht dhe e kanë kaluar kufirin, për çka janë arrestuar nga autoritetet e atjeshme për qëndrim të paligjshëm në brendësi të Serbisë”, tha zoti Chapell, sipas të cilit dy persona janë liruar, ndërsa njëri po mbahet i arrestuar. Burimet vendore thonë se i arrestuari është Pajazit Podvorica, ndërsa policia e UNMIK-ut, duke qenë se kundërvajtja është kryer në brendësi të territorit të Serbisë, nuk merret me hetimin e rastit dhe nuk ka kontaktuar me autoritetet e atjeshme.
Mirëpo, zoti Chappell ka hedhur poshtë njoftimet e zyrtarëve serbë dhe të mediave të Beogradit, se ka ndodhur një sulm i armatosur dhe i sinkronizuar kundër ushtrisë serbe:
“Informacionet tona janë se këta persona ishin druvarë dhe gjërat e vetme që ata mund të kenë sulmuar kanë qenë lisat”, tha zoti Chappell.
Informacionet zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes e Serbisë, thoshin se një patrullë e ushtrisë serbe është ndodhur nën zjarrin e armëve nga një grup prej 15 shqiptarësh të armatosur në afërsi të fshatit Sushnjak dhe Perpellac. Të njëjtat burime e kanë cilësuar këtë incident si eskalim të dhunës së sinkronizuar të ekstremistëve shqiptarë kundër forcave serbe në zonat kufitare. Mirëpo, zëdhënësi i policisë Chappel ka hedhur poshtë këto akuza:
“Njerëzit për të cilët e dimë se prisnin dru nuk janë guerrilë, nuk janë terroristë dhe nuk janë ekstremistë, por thjesht banorë lokalë që kishin shkuar për të prerë dru, që është një incident shumë i shpeshtë i cili ndodh përgjatë kufirit”, tha zoti Derek Chapell, duke e quajtur këtë rast një kundërvajtje të thjeshtë, e cila sanksionohet me gjoba të caktuara ose me burg prej tridhjetë ditësh, ndërkohë që Pajazit Podvorica ende ndodhet i paraburgosur në Serbi.

XS
SM
MD
LG