Ndërlidhjet

INSTITUCIONET E KOSOVËS KUNDËRSHTOJNË DOKUMENTIN E QEVERISË SË SERBISË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit, kanë miratuar sot një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës i kanë kundërshtuar pretendimet e Serbisë për t'a cilësuar Kosovën si pjesë të saj në preambulën e Kushtetutës dhe njëkohësisht kanë rikonfirmuar se ata qëndrojnë në përcaktimin e tyre konform vullnetit të popullit, për një Kosovë të pavarur e sovrane. Kjo deklaratë është miratuar sot pas një mbledhjeje urgjente të qeverisë së Kosovës dhe konsultimeve ndërmjet tre institucioneve më të larta vendore. Kryeministri Bajram Rexhepi, tha me këtë rast, se institucionet e Kosovës nuk dëshirojnë të merren me komente rreth deklarimeve për Kosovën në Beograd, por shtoi ai, nëse pretendimet e Beogradit kanë për qëllim vënien e Kosovës nën Serbinë, atëherë Prishtina nuk mund të rrijë indiferente ndaj këtyre zhvillimeve:
“Ne nuk do të merremi me shtypin ditor të Serbisë, mirëpo nuk mund edhe t’i injorojmë, sidomos nëse ato duhet të pasurohen me akte juridike siç është projektkushtetuta e Serbisë, e cila pritet të aprovohet në seancën e parë të parlamentit të Serbisë. Prandaj mendoj se është reagim adekuat i tre institucioneve ndaj këtyre veprimeve”, ka thënë kryeministri Rexhepi, për të shtuar se deklarata e sotme u ishte drejtuar dhe instancave vendim marrëse ndërkombëtare. Ai tha, se kryetari, kryeministri dhe kryparlamentari i Kosovës, do të reagojnë në mënyrë adekuate edhe në të ardhmen, nëse pretendimet e Serbisë ndaj Kosovës do të vazhdojnë, gjë për të cilën u kishte sinjalizuar dhe qendrave të vendim marrjes në botë:
“Nëse ata shkojnë dhe aprovojnë gjëra të tilla, ato bien ndesh edhe me Rezolutën 1244 edhe me mandatin e UNMIK-ut në Kosovë, dhe në këtë rast sigurisht se do të jetë edhe veprimi adekuat i tre institucioneve të Kosovës. Pra, nuk do të shkojmë vetëm me deklarime apo veprime vetëm nga një institucion, por të treja institucionet do të kenë qëndrim të përbashkët dhe do të jetë konformë asaj. Por, tani është vështirë të paragjykohet se çfarë do të përfshijë ai veprim”, pohoi kryeministri Rexhepi.
Ndërkohë, në deklaratën e miratuar nga udhëheqësit vendorë thuhet gjithashtu se askush nuk duhet të ketë dyshim në përcaktimin e institucioneve për ndërtimin e shtetit të Kosovës, i cili sipas kësaj deklarate, do të mbështetet në vlerat e demokracisë, duke respektuar plotësisht të drejtat e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Deklarimet në Beograd, vazhdon deklarata, po përcilen nga kryetari Rugova, kryeministri Rexhepi si dhe kryeparlamentari Daci, me neveri dhe cilësohen si provokuese dhe kanë për qëllim destabilizimin e rajonit. Udhëheqësit kosovarë, po ashtu i kanë bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare, në radhë të parë Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që të ndërmarrin hapa të nevojshëm për t'a ndërprerë fushatën e Beogradit, e cila bie ndesh me angazhimet për një Kosovë dhe për një Evropë juglindore të qetë e stabël.



XS
SM
MD
LG