Ndërlidhjet

logo-print

ZYRTARË TË LARTË NDËRKOMBËTARË DHE KOSOVARË DËNOJNË VRASJEN E DY TË RINJVE SERBË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Dy pjesëtarë të pakicës serbe të moshës së re janë vrarë sot, ndërsa së paku pesë të tjerë janë plagosur, njëri prej të cilëve është në gjendje të rëndë, në afërsi të fshatit Zahaq të Pejës, kur persona deri më tani të panjohur kanë hapur zjarr kundër një grupi fëmijësh e të rinjsh nga enklava serbe e Gorazhdevcit, të cilët po laheshin në lumë: “Sipas rezultateve preliminare, një i ri i mitur është vrarë në vend, ndërsa gjashtë të tjerë janë plagosur, dy prej të cilëve rëndë dhe janë dërguar në spitalin ushtarak gjerman në Prizren”, tha zëdhënësi i UNMIK-ut, Andrea Angeli, duke shpjeguar se njëri nga të plagosurit ka vdekur më pas nga plagët, duke e ngritur në dy numrin e viktimave të këtij sulmi. Sidoqoftë tha Angeli policia dhe KFOR-i kanë shkuar në vendin e ngjarjes, ndërsa serbët lokalë në shenjë proteste kanë mbyllur rrugët në afërsi të fshatit të tyre.
Këtë sulm e ka dënuar i pari sot komandanti i forcës paqëruajtëse të NATO-s në Kosovë, gjenerali Fabio Mini: “Mendoj se ky është një sinjal i keq i mundësive që Kosova të futet në jotolerancë. Kjo nuk është Kosova që ne e duam," tha gjenerali Mini, duke i bërë këto komente pas takimit të tij të parë me shefin e ri të UNMIK-ut në Kosovë Harri Holkeri, i cili mbërriti sot në aeroportin e Prishtinës në orën 13.
Dhe, që në ditën e parë të ardhjes në Kosovë, kryeadministratori Harri Holkeri ka reaguar për sulmin e sotëm tragjik. Në një deklaratë të tij, zoti Holkeri ka thënë se është i tronditur, pasi në ditën e tij të parë në Kosovë ka ndodhur një tragjedi e tmerrshme, në të cilën janë vrarë dy fëmijë serbë dhe janë plagosur disa të tjerë. Kjo është një tragjedi për Kosovën që katër vjet pas konfliktit, incidente të tilla dëmtojnë jetën e njerëzve të pafajshëm dhe imazhin ndërkombëtar të Kosovës, ka thënë zoti Holkeri, për të shtuar se nuk mund të lejojmë që disa ekstremistë, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike të minojnë të ardhmen e sigurt dhe plot shpresa.
“Nuk ka fjalë për ta përshkruar tmerrin që ndiejmë për vrasjen e të rinjve të pafajshëm sot në Gorazhdevc, ka thënë ndërkaq, shefja e zyrës amerikane në Prishtinë, Marcie Ries. Absolutisht asgjë dhe në asnjë mënyrë nuk mund ta arsyetojë vrasjen dhe tentim vrasjen e të rinjve të pafajshëm, ka thënë zonja Ries, duke kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve të Kosovës për kapjen e kriminelëve, pasi sipas saj, secili prind në Kosovë bashkëndien me prindërit që kanë humbur fëmijët e tyre.
OSBE-ja ndërkaq e ka quajtur këtë një ditë të zezë për Kosovën që dëmton jo vetëm jetën e njerëzve, por edhe marrëdhëniet midis bashkësive etnike.
Sulmin e ka dënuar edhe qeveria e Kosovës, duke thënë se tashmë është bërë pothuaj e zakonshme që para vizitave dhe ngjarjeve të rëndësishme në Kosovë ndodhin ngjarje të tilla që marrin jo vetëm jetë njerëzish, por dëmtojnë rëndë edhe procesin dhe imazhin e Kosovës, thuhet në deklaratën e qeverisë, në të cilën kërkohet nga organet kompetente që të ndërmarrin të gjitha masat për kapjen e autorëve të këtij sulmi kriminal dhe ndëshkimin e tyre sipas ligjit. Ndërkaq, në reagimin e kryeparlamentarit Nexhat Daci thuhet se aktet e tilla të dhunës godasin jetën e qytetarëve të Kosovës dhe vrasin edhe të ardhmen e Kosovës.
Vrasjen e kanë dënuar edhe partitë politike të Kosovës.





XS
SM
MD
LG