Ndërlidhjet

SERBËT E KOSOVËS PROTESTOJNË KUNDËR VRASJEVE NË GORAZHDEC TË PEJËS


Zijadin Gashi, Prishtinë

Qindra qytetarë të komunitetit serb të Kosovës, kanë protestuar sot në shenjë pakënaqësie për vrasjen e dy të rinjëve dhe plagosjen e katër të tjerëve, që ndodhi dje në afërsi të fshatit Gorazhdec të Pejës. Me moton, “Evropë pse po na i vrasin fëmijët”, nën organizimin e Këshillit Kombëtar Serb për pjesën veriore të Kosovës, këto protesta janë mbajtur në mesditë si në veriun e Kosovës, ashtu edhe në enklavat tjera, siç është Graçanica e vise të tjera. Milan Ivanoviç, kryetar i Këshillit Kombëtar serb për pjesën veriore të Kosovës, në një protestë të tillë të organizuar në Mitrovicë, u tha qytetarëve të tubuar, se ky krim ishte i motivuar etnikisht si dhe e fajësoi për këtë akt të kryer Armatën Kombëtare Shqiptare. Ivanoviç ka kërkuar zgjerimin e aktakuzave për shqiptarët nga ana e Tribunalin e Hagës si dhe kthimin e forcave të armatosura të Serbisë në Kosovë.
“Kërkojmë mbrojtjen e të drejtave të shtetit të Serbisë dhe popullit serb në Kosovë dhe ne kemi të drejtë në kthimin e ushtrisë e policisë serbe”, tha Ivanoviç, para masës së tubuar, duke e quajtur këtë kërkesë për kthimin e ushtrisë e policisë serbe si kthim të heronjëve të popullit serb.
Mirëpo, si për motivet e vrasjes ashtu edhe për autorët e këtij krimi, policia e administratës së UNMIK-ut konfirmon se ende nuk ka gjetur asnjë të dhënë. Derrek Chappel, zëdhënës i policisë ndërkombëtare, thotë se në vendin e ngjarjes dhe në rrethinë janë angazhuar 100 policë, të cilët po kontrollojnë terrenin për të gjetur gjurmë, si dhe po përpiqen të gjejnë dëshmitarë të rastit. Deri tani, tha Chappel, policia nuk ka arritur të gjejë asnjë provë që dëshmon diçka në ndriçimin e rastit, kurse ai i përjashtoi mundësitë që organet e rendit në Kosovë t'a dinë se kush e ka kryer këtë krim, apo që ky akt të mund të kualifikohet si krim me motive etnike.
“Ne nuk e dimë kush e bëri këtë, por po i bëjmë të gjitha përpjekjet e mundshme që ta ndriçojmë këtë rast”, tha Chappel.
Ndërkohë në mesin e shumë reagimeve, komanda e KFOR-it ka lëshuar sot një kumtesë, në të cilën dënohet ky rast dhe cilësohet si krim i shëmtuar, i kryer nga individë barbarë e të pashpirt. “Akte të tilla frikacake mbi fëmijët e pambrojtur të bëjnë me të vërtetë për të vjellë dhe kryhen prej atyre që synojnë destabilizimin e Kosovës dhe dëmtimin e përparimeve të arritura gjatë katër viteve të fundit”, citohet të ketë thënë zëvendëskomandanti i KFOR-it gjenerali Ives De Kermabon.
Nga katër personat e plagosur, njëri prej tyre është dërguar për kurim në Beograd, një tjetër në Prizren si dhe dy të tjerë po kurohen në spitalin e Mitrovicës. Chappel tha se trupat e dy personave të vrarë, pas autopsisë së kryer, do t’u kthehen familjeve për t’i varrosur, ndërkohë që në Gorazhdec janë shpallur tri ditë zie, kurse për nesër liderët lokalë serb kanë paralajmëruar shpalljen e ditës së zisë edhe në viset tjera ku jeton komuniteti serb si shumicë në Kosovë.






XS
SM
MD
LG