Ndërlidhjet

HARRI HOLKERI TAKOHET ME PËRFAQËSUESIT E INSTITUCIONEVE TË KOSOVËS


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Takimet e para të kryeadministratorit të ri të Kosovës, Harri Holkeri me drejtuesit e institucioneve të Kosovës, kanë mbetur nën hijen e incidentit të djeshëm në rrethinën e Pejës, në të cilin humbën jetën dy pjesëtarë të pakicës serbe. Kryetari Rugova, kryeministri Rexhepi dhe kryeparlamentari Daci, thanë se kryeadministratorit të ri i kishin premtuar bashkëpunim, ndërsa ai u kishte premtuar atyre se nuk do të ndikohej nga faktorë që nuk kanë të bëjnë me detyrat e tij.
Kryetari i Kosovës Ibrahim Rugova tha se e kishte njohur kryeadministratorin Harri Holkeri me përparimet e arritura në Kosovës në këto katër vite: “Gjendja e sigurisë është më e mirë, me gjithë faktin se kemi disa incidente si ai i djeshmi në rajonin e Pejës që ne e dënojmë ashpër dhe kërkojmë që ata që bëjnë të tilla veprime kundër Kosovës dhe imazhit të saj, të dalin para drejtësisë dhe të dënohen”, tha kryetari Rugova, duke bërë të ditur se kryeadministratorin e ri e kishte njohur me objektivat e institucioneve që janë zhvillimi ekonomik dhe privatizimi, si dhe bartjen e kompetencave, që janë ndër synimet kryesore, bashkë me kthimin dhe integrimin e pakicave: “Unë insistoj që sa më parë të njihet pavarësia e Kosovës, e cila do ta qetësonte rajonin, këtë pjesë të Evropës dhe të botës, një Kosovë e integruar në NATO dhe në BE, si dhe në miqësi me SHBA”, tha kryetari Rugova, i cili i ka premtuar zotit Holkeri bashkëpunim të gjithanshëm. Edhe kryeministri Bajram Rexhepi tha se ishin marrë vesh me zotin Holkeri për bashkëpunim për çështje konkrete dhe për të mos u marrë shumë me simbolika: “Mirëpo, pak a shumë të gjitha këto ranë nën hijen e rastit tragjik dje, ku unë edhe një herë apeloj që në përgjithësi të bashkëpunohet me policinë për kapur autorët e këtij krimi”, tha zoti Rexhepi duke e quajtur Holkerin një njeri pragmatik, me të cilin mund të bashkëpunohet ngushtë për çështje praktike, ndërkohë që duket se fillimi i dialogut me Beogradin për çështje praktike nuk është një punë e ngutshme për Holkerin.
“Dialogu është një prej standardeve ku do të jetë i angazhuar Holkeri, por nuk kemi biseduar se kur do të fillojë, por besojmë se do të fillojë kur të ketë një gadishmëri të dyanshme”, tha kryeministri Rexhepi para se në zyrën e Holkerit të shkonte kryetari i Kuvendit, Nexhat Daci: “Unë i shpreha keqardhjen time SRSG-së se në traditën shqiptare dhe kosovare nuk është mikpritja me vrasje të fëmijëve dhe me këtë e fillova dëshirën tonë për bashkëpunim”, tha Daci për të shtuar se nuk kishte bërë komplimente për gjithë punën e UNMIK-ut dhe ishte impresionuar nga premtimi i Holkerit se mbi të nuk mund të ndikojnë ato që janë jashtë detyrës së tij. Sidoqoftë, zoti Daci shfaqi shpresën e tij që zoti Holkeri të ishte kryeadministratori i fundit i UNMIK-ut në Kosovë: “Gjithsesi, është e tepërt të pritet edhe një tjetër”.
Zoti Holkeri, i cili asnjëherë nuk ka dalë jashtë ndërtesës së UNMIK-ut, është takuar edhe me liderë partiakë, kryetarin e AAK-së Ramush Haradinaj, me nënkryetarin e PDK-së Arsim Bajrami dhe me drejtuesin e koalicionit të serbëve "Kthimi", Oliver Ivanoviç. Në mbrëmje zoti Holkeri do të ketë një konferencë shtypi dhe nesër në mëngjes do të udhëtojë për në Beograd.


XS
SM
MD
LG