Ndërlidhjet

PARTITË POLITIKE NË SHQIPËRI REAGOJNË NDAJ QËNDRIMEVE SERBE RRETH KOSOVËS


Alma Çupi, Tiranë

Sot reaguan partitë politike, të cilat u shprehën kundër miratimit të draftit të qeverisë serbe, që Kosova të jetë pjesë e unionit territorial Serbi dhe Mal i Zi.
Në emër të opozitës kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, kundërshtoi sot përpjekjet e Beogradit, që sipas tij synojnë destabilitetin e Ballkanit. Lideri i opozitës Berisha, deklaroi se shqiptarët e Kosovës kanë të drejtën e tyre për t'u vetëvendosur në bazë të marrëveshjes së Rambujesë, e cila nënkupton zgjidhjen
e problemeve të Kosovës me vullnetin e saj.
"Konsideroj si të domosdoshme që të hiqet dorë nga ideja dhe platforma, që në fakt shtyjnë gadishullin drejt të shkuarës së tij të pasigurtë dhe konfliktuale dhe destabilizimeve", tha Sali Berisha.
Po sot edhe kryetari i Partisë Socialdemokrate Skënder Gjinushi, tha se përpjekjet e qarqeve nacionaliste serbe janë të dështuara dhe ato kanë marrë fund me fillimin e paqes në Kosovë në qershor të vitit 1999.
"Në bazë të integrimit evropian, në themel të kësaj "familjeje" të madhe, është barazia midis popujve dhe jo nacionalizmi apo dominanca e një etnie ndaj një tjetre. Përpjekjet për të vendosur komunitetin ndërkombëtar para faktit të kryer, me disa deklarata qeverish apo parlamentesh, apo me disa rezoluta të pavlera, janë përpjekje të dështuara dhe sigurisht që vetëm kompromentojnë ata që i bëjnë, duke folur për atë që qarqe të rëndësishme serbe janë ende nën influencën e nacionalizmave të tejkaluara", tha Skënder Gjinushi.
Sipas kreut të socialdemokratëve Gjinushi, Kosova do ta thotë vetë fjalën e saj.
"Fjalën kryesore për të ardhmen e Kosovës, sigurisht do t'a thotë vetë populli i Kosovës, ashtu siç edhe për të ardhmen e shtetit Serbi Mali i Zi, pra për shtetin e tyre, do të shprehen edhe malazezët edhe serbët", tha Skënder Gjinushi.
Pak ditë më parë vetë Ministri shqiptar i Mbrojtjes, u shpreh se kushtetuta e Serbisë është kushtetuta e konfliktit. Ndërsa analistët shqiptarë gjatë këtyre ditëve janë shprehur se zgjedhja që duhet
të bëjë Serbia, duhet të jetë e distancuar nga e kaluara. Kosova tashmë ka qeverinë e vet, dhe nuk mund të diskutohet si pjesë e Serbisë. Kështu janë shprehur analistët shqiptarë.



XS
SM
MD
LG