Ndërlidhjet

HAJREDIN KUÇI: MENDOJ SE EKZISTOJNË DISA QËLLIME TË PANDERSHME QË TË PËRFITOHET POLITIKISHT PREJ KËTYRE RASTEVE


"Çdo problem në Kosovë, edhe të minoriteteve edhe të rasteve të dhunës duhet të zgjidhet nga Kosova me ndihmen e faktorit ndërkombëtar dhe jo nga Beogradi" – thotë Hajredin Kuçi, deputet në Kuvendin e Kosovës (PDK).

RADIO EVROPA E LIRË
Aktualisht çështja që po diskutohet më së shumti është incidenti që ndodhi në afërsi të Pejës. Sot atje u bë edhe varrimi. Të gjithë liderët e institucioneve të Kosovës e kanë dënuar këtë akt. Policia Ndërkombëtare thotë se nuk dihen motivet dhe autorët e vrasjës së dy të rinjëve serbë. Si i vlerësoni ju këto zhvillime?

HAJREDIN KUÇI
Ne e kemi shprehur edhe mund ta përsëris brengosjen tonë për akte të tilla që e rëndojnë gjendjen në Kosovë, por njëkohësisht do ta shpreh mendimin tim se këto akte të dhunës po politizohen dhe kjo tashmë është bërë dukuri. Kjo po ndodh, sepse organët e hetuesisë nuk janë aq sa duhet efikase që t'i thonë motivet e vërteta, se a ishte ndonjë akt i dhunës ndëretnike apo ndonjë tragjedi tjetër. Në anën tjetër, mendoj se ekzistojnë disa qëllime të pandershme që të përfitohet politikisht prej këtyre rasteve. Mund të them se veprimet që shkojnë në politizim të skajshëm të këtij rasti, nuk janë ato që mund t'i zgjidhin problemet, por është e kundërta. Çdo problem në Kosovë, edhe të minoriteteve edhe të rasteve të dhunës duhet të zgjidhet nga Kosova me ndihmen e faktorit ndërkombëtar dhe jo nga Beogradi. Veprimet e fundit që shihen nga Beogradi janë një reprizë e fundviteve të 80-ta që mund t'i mbajmë në mend mjaft mirë, apo është një skenar i kopjuar i Millosheviqit, sipas të cilit fillimisht bëhen disa tendenca për ndryshime kushtetuese dhe pastaj të paraqitetet minoriteti serb si viktimë. Mendoj se edhe njëra edhe tjetra nuk janë rrugë për ta ndihmuar minoritetin serb dhe trajtimin e tij si urë për bashkëpunim, por është e kundërta e kësaj-lëvizjet për integrim të Kosovës në Serbi. Pra kjo nuk kontribuon pozitivisht as ndriçmit të këtyre rasteve dhe as zhvillimeve politike që mund të bëhen në të ardhmën.

RADIO EVROPA E LIRË
Siç është raportuar, në varrimin e sotëm mori pjesë edhe kryeministri i Serbisë?

HAJREDIN KUÇI
Po ky është një politizim i skajshëm dhe mua personalisht me kthen prapa në fund të viteteve 80-ta, kur Millosheviqi vinte në Kosovë për çdo rast. Në çdo vend të botës mund të ndodhin akte të dhunës për një minoritet, por intervenimi i shteteve duhet të jetë në nivele diplomatike dhe ardhja e tij ka një simbolikë ndoshta për popullin serb brenda Serbisë e që mund të jetë simbolikë ndoshta edhe për ndonjë votë, por në Kosovë mund ta them me shumë sinqeritet se është një simbolikë shumë e keqe, një simbolikë krejt negative dhe na e kujton kohën kur çdo ardhje e krerëve të Serbisë e paraqetë minoritetin serb si viktimë. Mund të them se edhe UNMIK-u ka bërë një lëshim, apo një gabim të plotë që e ka lejuar ardhjen e kreyministrit serb për këto raste. Mendoj se ky rast nuk duhet të shfrytëzohet për ngritjen e tensioneve ndëretnike dhe tensioneve Kosovë-Serbi, përkundrazi. Këto veprime që bëhen mund të them janë më shumë sharllatane që bëhen nga një kryeministër apo nga një shtet.

RADIO EVROPA E LIRË
Sot Z. Holkeri gjendet në Beograd. Ai bisedoi edhe me liderët politikë në Prishtinë. Sipas jush, a mund të ketë ndikim ky incident në punën e tij në postin e kryeadministratorit në Kosovë.

HAJREDIN KUÇI
Në radhë të parë mendoj se këtij incidenti i është dhënë një rëndësi jashtëzakonisht e madhe, por them se nuk mjafton që të thuhen vetëm deklarime politike. Institucionet politike demokratike duhet t'i lënë mundësinë organeve të gjyqësisë që ta thonë fjalën e vet. Ndërsa institucionet duhet të angazhohen që të mos krijojnë hapësirë për veprimet të ekstremistëve apo të dikujt tjetër. Ndërsa sa i përketë punës së Z. Holkeri mendoj se kjo nuk duhet të ketë ndikim në punën e tij, por sidoqoftë, mendoj që ai nuk duhet të pengohet nga rastet e tilla, por duhet të jetë më aktiv në zbulimin e këtyre rasteve. Mendoj që Z. Holkeri ka bërë një gabim që në të njëjtën kohë i bën vizitë Kosovës dhe Beogradit. Për mendimin tim, ai ka ardhur që të kontribuoj për Kosovën...dhe Beogradin duhet ta trajtonte siç do ta trajtonte Tiranën, Shkupin apo Pogoricën.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju folët për punën e Holkerit në të ardhmën dhe veprimet e tij aktuale. Në këtë aspekt, do të doja t'ju pyes lidhur me angazhimet e tij eventuale në procesin e transferit të përgjegjësive, për të cilin shumë liderë politikë shqiptarë kanë thënë se nuk është i tillë çfarë do të duhej të ishte?

HAJREDIN KUÇI
Ditëve të fundit transferi i kompetencave ka stagnuar. Unë e kam thënë që në fillim se transferimi i kompetencave ka qenë një iluzion për Kosovën dhe kosovarët, sepse kompetencat që na kanë takuar është dashur t'i merrnim qysh në marsin e vitit të kaluar, sipas Kornizës Kushtetuese. Ndërsa kompetencat tjera nuk mund të bëhen pa u ndryshuar baza legale, që nënkupton rezolutën 1244 dhe Kornizën Kushtetuese të Kosovës. Pra, ne duhet të punojmë në ushtrimin e plotë të kompetencave dhe mendoj se institucionet e Kosovës duhet të paraprijnë, them jo në grabitjen e kompetencave, por në një shpërthim institucional në Kornizën kushtetuese. Përgjegjësia gjithashtu na bie ne për të gjitha aktet tjera dhe synimet e Z. Holkeri besoj se janë pozitive, por do të shtoja se angazhimi i tij duhet të jetë kryesisht në aktivitete ekonomike. Pra, për Kosovën të ketë edhe zgjidhje lidhur me rendin në institucionet demokratike, statusin juridik dhe politik, por gjithsesi edhe aktivite ekonomike.
Intervistoi Fatmir Bujupi.

XS
SM
MD
LG