Ndërlidhjet

logo-print

VARROSEN VIKTIMAT E INCIDENTIT NË ZAHAÇ TË PEJËS


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Sot në varrezat e fshatit Gorazhdevc të Pejës është varrosur fëmija Pantelije Dakiç, ndërsa në këto momente pritet të bëhet edhe varrimi i Ivan Jovoviçit, viktima e dytë e një incidenti me pasoja tragjike, që ka ndodhur të mërkurën në afërsi të fshatit Zahaç të Pejës. Në këtë varrim ka marrë pjesë edhe kryeministri i Serbisë Zoran Zhivkoviç, zëvendëskryeministri Çoviç dhe disa ministra të qeverisë së Serbisë, të cilët janë lejuar nga UNMIK-u që të marrin pjesë në këtë varrim, në bazë të kërkesës zyrtare të palës serbe dhe pasi ata janë takuar në Beograd edhe me kryeadministratorin e Kosovës, Harri Holkeri. Pas mbërritjes në aeroportin e Sllatinës, qeveritarët serbë kanë shkuar me vetura të UNMIK-ut dhe të shoqëruar nga policia, deri në Gorazhdevc, ku u është bashkuar më pas edhe zëvendësshefi i UNMIK-ut, Charles Brayshow që ka ardhur nga Beogradi disa minuta më vonë me një aeroplan të Kombeve të Bashkuara. Zoti Zhivkoviç, në një deklaratë për Evropën e Lirë ka shfaqur shpresën se Gorazhdevci dhe enklavat e tjera serbe të Kosovës do të kenë më shumë siguri:
"Shpresat mund të përforcohen, pasi kjo dhe enklavat e tjera serbe në Kosovë, mund të jenë më të mbrojtura nga policia dhe KFOR-i dhe të sigurohet një komunikacion dhe komunikim më i mirë," tha Zhivkoviç, duke theksuar megjithatë se elementi më i rëndësishëm për sigurinë e serbëve është kthimi i të zhvendosurve.
Zhivkoviç ka thënë me këtë rast, se qeveria e Serbisë ka bërë sa ka mundur për të ndihmuar serbët e Kosovës, por nuk është në duart e saj të bëjë më shumë dhe ka hedhur poshtë zërat që kanë kërkuar kthimin e ushtrisë dhe policisë jugosllave në Kosovë:
"Disa mendojnë se zgjidhja është te kthimi i ushtrisë dhe policisë, por mendoj se ky ishte vetëm një moment krekosjeje dhe trimërimi, që nuk do t’i kontribuonte paqes," tha Zhivkoviç, për të shtuar se "para disa vitesh kishte një përpjekje për zgjidhje të problemeve me dhunë, por dihet se si kaloi Serbia nga kjo përpjekje," tha Zhivkoviç, i cili bashkë me delegacionin e tij pritet të qëndrojë edhe në Mitrovicë, ku ditët e fundit ka pasur disa sulme me bomba kundër pronave shqiptare.
Ndërkohë, sot në ditën e varrimit të dy viktimave të përkatësisë serbe, kryetari i Kosovës, Ibrahim Rugova, u ka dërguar telegrame ngushëllimi familjeve Jovoviç dhe Dakiç, duke theksuar se institucionet e Kosovës do të bëjnë gjithshka është në duart e tyre për të kapur autorët e krimit dhe për t’i sjellë para drejtësisë.

XS
SM
MD
LG