Ndërlidhjet

KËSHILLI I SIGURIMIT DËNON VRASJEN NË GORAZHDEVC TË PEJËS


Kombet e Bashkuara kanë hedhur poshtë kritikat e ardhura nga përfaqësuesit e qeverisë së Serbisë dhe Malit të Zi në këtë organizatë, se misioni i OKB-së në Kosovë ka dështuar.
Zëdhënësi i kreut të kësaj organizate, i specializuar për Ballkanin, Farhan Hak, me këtë rast për radion "Evropa e Lirë" ka thënë:
"Nuk mendoj se është dështim i Kombeve të Bashkuara ajo çfarë ka ndodhur. Pa diskutim ky është dështim i palëve në terren, që të jetojnë së bashku dhe ne po përpiqemi që t'i afrojmë bashkësitë, në mënyrë që të kemi një Kosovë të bashkuar. Padyshim se kjo lloj dhune dëshmon se ne nuk e kemi arritur këtë cak dhe ende kemi shumë për të bërë", tha zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara, Hak.
Ndërkaq Këshilli i Sigurimit e kishte dënuar menjëherë vrasjen në Gorazhdevc përmes një deklarate:
"Anëtarët e Këshillit kërkojnë të bëhen të gjitha përpjekjet për të arrestuar autorët dhe për nxjerrjen e tyre para drejtësisë, dhe të kujtojmë se institucionet e vetqeverisjes janë të angazhuara në pajtimin ndëretnik", deklaroi në emër të vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit, ambasadori i Sirisë, Mihail Vehbe, vendi i të cilit ka kryesinë e rradhës së Këshillit.
Nga ana tjetër zëdhënësi i OKB-së, Farhan Hak, ka përsëritur për programin tonë, se organizata që ai përfaqëson mbështet procesin e standarteve para statusit. Ndërsa dhuna më e fundit tregon se ka ende rrugë për t'u bërë.
"Para së gjithash ideja është se ne duhet të arrijmë disa standarte bazë si pakësimi i dhunës, zvogëlimi i numrit të krimeve, të sigurojmë se institucionet vendore punojnë për popullin e Kosovës dhe që t'i mund t'i shërbejnë ndershmërisht të gjitha bashkësive etnike. Të ndihet se ka vend dhe për ta në Kosovë dhe se sistemi është ngritur t'i shërbejë atyre", nënvizoi Hak.
Ky i fundit nuk ka ngurruar të veçojë dhe sukseset që misioni i Kombeve të Bashkuara ka arritur në Kosovë.
"Ne kemi Kuvendin, kryeministrin, kemi më shumë përparime në përmirësimin e punës së policisë së Kosovës, si dhe në jetën e përditshme, nga administratat e komunave deri tek shkollat. Kjo tregon se ka një numër gjërash që e bëjnë popullin e Kosovës t'a ndiejë se ka kontroll në një shkallë të caktuar mbi jetën e vet. Sa i përket çështjeve të mëdha si ajo e statusit, mund të zgjidhen më vonë, kur të realizojmë të gjitha synimet dhe të ngrejmë të gjitha strukturat institucionale", tha Farhan Hak, zëdhënësi për Ballkanin i Kombeve të Bashkuara, ekskluzivisht për radion "Evropa e Lirë".

XS
SM
MD
LG