Ndërlidhjet

HOLKERI TAKOHET ME ZYRTARËT MË TË LARTË SERBË


Marash Berisha, Beograd

Pas takimit me Ministrin e Jashtëm të Serbisë dhe Malit të Zi, Goran Svillanoviç, kryeadministratori i Kosovës Harri Holkeri, në një konferencë për shtyp, si detyrë nga më të rëndësishmet të misionit të tij në Kosovë, theksoi vendosjen e sundimit të ligjit dhe luftën kundër ekstremizmit dhe krimit të organizuar. Njëherësh kryeadministratori i UNMIK-ut, si pikësynim të tij vuri në dukje zhvillimin e demokracisë dhe të institucioneve shumëetnike në Kosovë, afrimin e Kosovës me standardet evropiane, si dhe zhvillimin e ekonomisë.
"Puna ime në Kosovë do të jetë plotësisht në përputhje me rezolutën 1244," tha në përfundim Harri Holkeri.
Pas bisedës me kryeministrin e Serbisë Zoran Zhivkoviç dhe me zëvendës kryeministrin Çoviç, këta të dy morën leje për të shkuar në Gorazhdevc, në varrimin e dy djemve të vrarë para dy ditësh.
"Holkeri më premtoi se më në fund do të vërë në jetë rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara dhe se do të kthejë definitivisht paqen në Kosovë", tha kryeministri Zhivkoviç, në konferencën për shtyp pas bisedës me kryeadministratorit të ri të UNMIK-ut. Ai shprehu kënaqësi për përshtypjet e para nga takimi me zotin Holkeri, duke vënë në dukje se ai është një njeri serioz, i cili ka ardhur me synime serioze.
"Ramë dakort se rezoluta 1244 përbën mandatin dhe detyrën e tij dhe se realizimi i asaj është pikësynimi kryesor i veprimtarisë së Holkerit", tha Zhivkoviç dhe vazhdoi - "dhe kjo do të thotë ç'armatimin e të gjithëve në Kosovë, të cilët mbajnë armë ilegale. Nëse zoti Holkeri realizon qëllimin e tij dhe qëllimin tonë, vënien në jetë të rezolutës 1244, ne do të kemi një Kosovë të qetë", tha Zhivkoviç.
Në konferencën për shtyp foli shkurtimisht edhe zëvendëskryeministri Çoviç, i cili ndër të tjera tha:
"Unë them se jam optimist i matur. Kam përshtypjen se me zgjedhjen e përfaqësuesit të ri të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, të Harri Holkerit, është bërë një zgjedhje pozitive. Mirëpo nuk është mirë kur Beogradi lavdëron tepër, sepse atëhere ai humb hapësirën tjetër. Unë dhe kryeministri theksuam se i tërë programi duhet zgjidhur me durim, urtësi dhe respekt reciprok, në relacionin midis Beogradit dhe Prishtinës, me pikësynimin e stabilizimit të mëtejshëm të rajonit dhe të luftimit të terrorizmit, ekstremizmit dhe krimit të organizuar", tha Çoviç.


XS
SM
MD
LG