Ndërlidhjet

PATRICK MOORE: PROJEKT-DEKLARATA E QEVERISË SERBE ËSHTË NJË PROVOKIM VËRTET I RREZIKSHËM


RADIO EVROPA E LIRË
Këtë javë shefi i ri i Unmikut Hari Holkeri për të parën herë ishte në rajon. Gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë ai u ballafaqua me incidentin e rëndë në të cilin dy të rinjë serbë u vranë. Kjo përsëri aktualizoi çështjen e sigurisë më Kosovë. Si e vlerësoni ju çështjen e sigurisë atje dhe kush është përgjegjës, sipas, jush për këtë çështje në Kosovë?

PATRICK MOORE
Të gjithë e dimë që zyrtarisht UNMIK-u dhe NATO janë përgjegjës për çështjet e sigurisë dhe kontrollojnë të gjithë monopolin e arsenalit të armëve. Megjithatë do të thoja edhe diçka tjetër. Forca e vërtetë që ka në ngarkim sigurinë nuk është presioni nga jashtë, por forcat brenda përbrenda Kosovës. Kjo do të thotë që çdo komunitet duhet të jetë përgjegjës për sigurinë e tij, përmes presionit shoqëror. Kjo kryesisht përfshin shoqërorizimin dhe kontrollin shoqëror brenda komunitetit ndaj njerëzve që kanë qasje të marrin pozicione ekstreme. Kjo shpesh nënkupton të rinjë gjaknxehtë. Kjo është përgjegjësia e çdo komuniteti…si e atyre në baza gjeografike ashtu dhe në bazë etnike, për të mbajtur një lloj rregulli shoqëror mbi njerëzit e vet.

RADIO EVROPA E LIRË
Ditë më pare qeveria serbe miratoi një propozim–deklaratë. Ky dokument e përshkruan Kosovën si pjesë të Serbisë. Zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës në një deklaratë të përbashkët kanë thënë se kjo
propozim-deklaratë paraqet shkelje të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit. Si e komentoni ju këtë zhvillim dhe pjesëmarrjen e djeshme të kryeministrit serb në Kosovë në varrimin e dy të rinjëve serbë të vrarë para disa ditësh.

PATRICK MOORE
Le ta fillojmë me projekt-deklaratën. Ky është një provokim vërtet i rrezikshëm. Është si të luash me zjarrin. Nuk kanë pasur asnjë arsye të vlefshme për të dalë me këtë qëndrim, por përpiluan një dokument, i cili nuk ka asnjë qëllim konstruktiv, por do të shërbejë vetëm për ti rritur tensionet. Po cilat janë arsyet e këtyre qasjeve? E para është politika. E dimë që zgjedhjet e përgjithshme do të mbahen brenda një viti në Serbi dhe të gjithë politikanët po ndajnë territoret politike, po përpiqen të kristalizojnë qasjet e tyre paraelektorale, me shpresën se do të fitojnë numrin më të madh të votave. E shohim zotin Çoviç, për shembull, që po i dëgjohet shumë zëri. Pse? Sepse në fillim Gjingjiçi dhe tani Zhivkoviçi e kanë margjinalizuar shumë dhe taah ai po përpiqet ta zgjerojë profilin e tij duke folur sa më shumë që mundet për Kosovën. Por ajo që është më e rëndësishme këtu është se koalicioni DOS po përpiqet të jetë konkurrues me Koshtunicën, i cili sipas hulumtimeve të fundit të opinionit, ka një përkrahje të madhe, për të fituar votat e nacionalistëve. Kjo nuk përfshin vetëm votuesit që votuan për DOS-in apo për Koshtunicën herën e kaluar, por gjithashtu edhe votuesit që u dhanë votën e tyre partive që ishin të lidhura me ish regjimin. Arkani ka vdekur, Millosheviçi dhe Shesheli janë në Hagë, gruaja e Millosheviçit ndoshta ndodhet e fshehur në Moskë dhe mbështetësit e partive të tyre, ndoshta janë duke kërkuar për një forcë të re politike që do ta mbështesin. Kështu të flasësh për Kosovën është e lehtë dhe mund të bëjnë shumë zhurmë për këtë çështje pa qenë nevoja që të premtojnë ndonjë gjë, si vende të reja pune apo dhënien fund të korrupsionit dhe krimit të organizuar, që në të vërtetë janë çështje madhore. Ata mund të flasin pa pushim për Kosovën pa qenë nevoja të premtojnë ndonjë gjë.
Por kjo qasje është shumë cinike pasi po u jepen shpresa të rrejshme serbëve që banojnë në Kosovë, se do të rikthehen forcat serbe të sigurisë, gjë që nuk do ndodhë kurrë dhe kjo nxitë pasionin e tyre. Për t'iu përgjigjur pyetjes suaj, kjo është një lojë cinike e llojit më primitiv dhe mendoj se paraqitja e Zhivkoviçit me formulën për Kosovën duhet kuptuar në kontekstin e zgjedhjeve të përgjithshme në Serbi, që po afrohen.

RADIO EVROPA E LIRË
Ishte një koment në Wall Street Journal që situatën në Ballkan e përshkruan si një punë të pakryer duke ftuar Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian për ti kushtuar më tepër kujdes këtij rajoni. Si e komentoni ju këtë?

PATRICK MOORE
Artikulli, i cili ishte mjaft i mirë, u bënte thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian që të mos humbin më kohë dhe të fillojnë të trajtojnë çështjen e statusit të Kosovës. E dime se çështja e statusit e bazuar në parimin e vetëvendosjes dhe të sundimit të shumicës, që kanë mbizotëruar në marrëdhëniet ndërkombëtare që pas Luftës së Dytë Botërore, do të thotë pavarësi. E kam thënë dhe në intervistat e kaluara që askush nuk do t'ua sjellë të gatshme kosovarëve pavarësinë. Ata duhet ta fitojnë atë…Kjo gjë do të thotë që duhet të vendosin rregullin në shtëpinë e tyre. Tash gjëja e parë që duhet ta bëjnë shumë shpejt, mendoj, është sqarimi i krimit të fundit, kush i vrau adoleshentët serbë në rrethinën e Pejës dhe të shohin se çfarë pasojash do ketë brenda shoqërisë së Kosovës si rezultat i kësaj ngjarjeje të fundit.

Intervistoi Fatmir Bujupi.
XS
SM
MD
LG