Ndërlidhjet

NGA FORMIMI I SHPK-SË JANË LARGUAR 300 ANËTARË POLICIE PËR SHKELJE TË LIGJIT


Intervistë me Sheremet Ahmetin, shef i Shërbimit Policor të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
A mund të na thoni shkurtimisht cilat janë kompetencat kryesore të SHPK-së?

SHEREMET AHMETI
Ne jemi polici në kuadër të policisë së UNMIK-ut. Kompetencat e policisë janë si të çdo policie tjetër. Policia do të veprojë në kuadër të ligjit dhe të ndërmarrë të gjitha masat e parapara me ligj në luftimin e krimit, në çfarëdo forme që ai paraqitet. Policia e Kosovës, së bashku me kolegët ndërkombëtarë, lufton krimin dhe krijon kushtet e sigurisë, paqes dhe stabiliteteit në Kosovë për të gjithë qytetarët. Si rezultat i një punë vërtet shumë të mirë të SHPK-së gjendja e sigurisë në Kosovë ka shkuar në drejtim të qëndrueshmërisë, prandaj sot po bëjmë përpjekje të vazhdueshme të krijojmë lëvizje të lirë dhe të sigurtë për të gjithë qytetarët edhe përkundër asaj se së fundi kanë ndodhur disa incidente të rënda, të cilat sigurisht që e kanë rënduar situatën e sigurisë në Kosovë.
Por, së bashku me kolegët ndërkombëtarë, bësojmë se do të zbardhen këto raste dhe autorët do t'i sejllim para organeve të drejtësisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa e përfshirë është policia e Kosovës në zbardhjen e krimeve kundër anëtarëve të pakicave? Po në krimet për të cilat përflitet se kanë karakter politik?

SHEREMET AHMETI
Përparësi në këtë aspekt kuptohet se kanë policët ndërkombëtarë në Kosovë, sepse mendohet se janë më të paanshëm në luftimin e kësaj forme të krimit. Por, gjithsesi edhe SHPK-ja e ka për detyrë të ndërmarrë të gjitha masat për zbardhjen e krimeve, ecurinë e hetimeve dhe kapjen e autorëve. Prandaj nuk isha pajtuar me tezën së policia e Kosovës është e izoluar apo e përjashtuar nga procesi i hetimeve. Nuk është kështu, sepse edhe policët e Kosovës janë të kyçur në zbardhjen e këtyre rasteve. Kuptohet kurdo që vijnë të dhënat, ata i paraqesin, dhe së bashku me ndërkombëtarët i marrin masat e duhura për t'i çuar autorët para organeve të drejtësisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Si ekspert i policisë me përvojë, si e vlerësoni faktin se pavarësisht pranisë së madhe të ushtarëve e policëve ndërkombëtarë nuk është zbardhur asnjë krim nga ato që cilësohen të rënda?

SHEREMET AHMETI
Nuk mund të themi se nuk është zbardhur asnjë nga krimet. Sigurisht se nuk janë zbardhur disa prej tyre, por kemi rezultate në kuptimin e luftimit të krimit, përfshirë dhe këtë lloj të krimit, i cili po i shqetëson qytetarët e Kosovës. Por, mund të them se me një bashkëpunim më të ngushtë të popullatës së Kosovës, do të kishim rezultate më të mira. Fatkeqësisht ne kemi trashëguar një të kaluar, e cila padrejtësisht i bie barrë policisë së Kosovës. Popullata duhet të ndryshojë mendimin, duhet të afrohet, të bashkëpunojë dhe bashkëveprojë me policinë e vet, sepse vetëm ashtu mund t'i zgjidhim të gjitha rastet dhe të dënohen kryesit e veprës. Për sigurinë duhet të kujdesen të gjithë, duke pëfshirë këtu edhe qytetarët e Kosovës, duke pasur parasysh se megjithatë, policia është bartëse kryesore e përgjegjësisë për sigurinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Si do t'i përgjigjeshit akuzave se në mesin e SHPK-së ka policë të përfshirë në krim apo policë të politizuar?

SHEREMET AHMETI
Mendoj se është shumë e padrejtë që të jepet një kualifikim i tillë. Ne kurdo dhe kudo që kemi argumente, që eventualisht në qoftë se ka pjestarë të tillë në radhët e policisë kosovare, ne do t'i marrim të gjitha masat e parapara ligjore dhe do të bëhen hetimet për rastin. E vërteta është se deri tash ne kemi marrë edhe masa të tilla. Që nga formimi i Shërbimit, në shtator të 99-tës i kemi larguar 300 pjestarë të SHPK-së. Ky është një proces i vazhdueshëm dhe i përhershëm në kuadër të policisë kosovare. Askush nuk do të përjashtohet nga ky proces. Për këdo që ka fakte dhe argumente, pavarësisht nga pozita që bartë në polici, ne do t'i marrim të gjitha masat e parapara ligjore. Mbi të gjitha ne duhet të pastrojmë shtëpinë tonë, për të pastruar pastaj oborrin dhe fushën.
Intervistoi Ilirjana Bajo

XS
SM
MD
LG