Ndërlidhjet

REXHEP OSMANI: LIGJI PËR ARSIM NUK PARASHEH NËNSHKRIMIN E KONTRATAVE KOLEKTIVE


Rexhep Osmani, ministër i Arsimit në Qeverinë e Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Me një shtator duhet të fillojë viti i ri shkollor. Si i vlerësoni përgatitjet e bëra për këtë vit shkollor?

REXHEP OSMANI
Ministria e Arsimit, Shkencës e Tekonologjisë i ka bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor 2003-2004. Në një takim me drejtorët komunalë të arsimit dhe me zyrtarë të lartë të arsimit në Kosovë, ministria i informoi për përgatitjet dhe për detyrat që i presin komunat dhe të gjitha shkollat për zhvillimin e mbarë të vitit të ri shkollor. Dua të theksoj se sivjet do të vazhdojë zbatimi i mëtutjeshëm i reformës së filluar vjet me klasën e 9-të, por sivjet do të fillojmë edhe me klasën e parë të shkollës fillore, me klasën e 6-të shkollës së mesme të ulët dhe me klasën e 10-të shkollës së mesme të lartë.

RADIO EVROPA E LIRË
Gjatë këtij viti janë bërë disa ndryshime në arsimin e mesëm. Cilat janë këto ndryshime?

REXHEP OSMANI
Është bërë profilizimi i disa shkollave të mesme, të shkollave të përgjithshme dhe shkollave profesionale, në veçanti. Mund të theksoj se sivjet do të kemi disa drejtime të reja të gjimnazëve, siç është gjimnazi i përgjithshëm, gjimnazi shoqëror-gjuhësor, ai i shkencave të natyrës, ai i gjuhëve të hujaja dhe gjimnazi i matematikës dhe informatikës. Për të gjitha këto gjimnaze ministria ka përgatitur programe të reja nga një grup ekspertësh, të cilët kanë punuar një kohë të gjatë. Tani jemi në përfundim të punës.

RADIO EVROPA E LIRË
A janë hartuar dhe a janë botuar tekstet shkollore me planprograme të reja mësimore?

REXHEP OSMANI
Sivjet janë përgatitur tekste të reja për klasën e nëntë, të cilat këto ditë do të botohen, dhe për klasën e parë të shkollës fillore. Është fjala për Abetarën e re, e cila është hartuar dhe është përshtatur sipas kushteve të reja. Edhe ky tekst pritet të dalë këto ditë nga shtypi.

RADIO EVROPA E LIRË
Një ndër problemet kryesore të arsimit në Kosovë mbetet situata materiale. A ka gjasa për përmirësimin e kësaj gjendjeje?

REXHEP OSMANI
Qeveria e Kosovës, në qershor të këtij viti, e ka trajtuar problemin e të ardhurave të arsimtarëve dhe ka vendosur që nga një korriku i këtij viti arsimtarëve t'u shtohet paga për 20 për qind, një pagë e cila do të vazhdojë të merret edhe pas përfundimit të këtij viti dhe jo siç është thënë në opinion se kjo është shtesë e përkohëshme. Prandaj, rritja e pagave të arsimtarëve për 20 për qind është një proces i vazhdueshëm dhe, natyrisht, MASHT dhe institucionet e Kosovës do ta kenë parasysh që për vitin 2004 të ketë edhe një rritje të pagave të arsimtarëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, kur mund ta marrin arsimtarët këtë ndryshim?

REXHEP OSMANI
Ndryshimi i pagave do të paguhet në fillim të shtatorit, do të thotë me pagën e muajit gusht arsimtarët do të marrin ndryshimin për muajin korrik dhe ndryshimin për muajin gusht.

RADIO EVROPA E LIRË
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës e Kulturës ankohet se nuk është nënshkruar memorandumi i mirëkuptimit, i cili ishte paralajmëruar të bëhej ndërkohë. A pritet të bëhet nënshkrimi i këtij memorandumi?

REXHEP OSMANI
Nuk e di për çfarë memorandumi e ka fjalën sindikata. Në qoftë se e ka fjalën për kontratën kolektive mund të shpjegoj se tash për tash Ligji për Arsimin Fillor dhe të Mesëm nuk e parasheh nënshkrimin e kontratave kolektive dhe pa ndryshime në këto ligje nuk do të ketë kontarata të tilla.

Intervistoi Hyrë Tejeci
XS
SM
MD
LG