Ndërlidhjet

MUHAMED SADIKU: NË KOSOVË DUHET TË FORCOHEN INSTITUCIONET E EKONOMISË SË TREGUT


Intervistë me Muhamed Sadikun, zyrtar në Institutin RIINVEST, Prishtinë

RADIO EVROPA E LIRË
Kosova nuk ka strategji të zhvillimit ekonomik. Qeveria arsyetohet se nuk ka kompetenca në politikën ekonomike, UNMIK, gjegjësisht shtylla e katërt, sipas vlerësimeve të ekspertëve ekonomik, në mënyrë parciale merret me çështjet e zhvillimit ekonomik. Kush duhet të merret me këtë dhe sa kjo ndikon në zhvillimin ekonomik të Kosovës?

MUHAMED SADIKU
Unë mendoj se tri vjet pas përfundimit të konfliktit në Kosovë bashkësia ndërkombëtare ka zbatuar një program të rindërtimit të Kosovës, mirëpo tani jemi të ballafaquar me mungesën e vizionit si të ecët përpara, nëpër cilat rrugë duhet të kalojë Kosova në mënyrë që periudha e tranzicionit nga ekonomia, e cila është bazuar kryesisht në ndihma në ekonomi të qendrueshme gjë që kërkon një qasje strategjike. Është e vërtetë se Kosova akoma mbetet pa strategjinë e vet dhe këtë duhet kuptuar si mungesë të madhe, në rradhë të parë kjo tregon se mungojnë idet se si të dilet nga ky udhëkryq. Vizioni ka rëndësi shumë të madhe, sepse ne duhet të dijnë se në cilin drejtim është duke shkuar Kosova. Mirëpo, unë mendoj se çështja e strategjisë, disa aspekte të strategjisë janë duke u diskutuar në disa institucione të Kosovës, në disa organizata joqeveritare, mirëpo ne akoma nuk e kemi një strategji të integruar, e cila do t’i reflektonte interesat e zhvillimit afatëgjatë të Kosovës, do të reflektonte interesat e krijimit të tranzicionit të Kosovës në një fazë më të avancuar, do t’i reflektonte, gjithashtu edhe pikëpamjet lidhur me fytyrën ekonomike që do ta ketë Kosova në vitet e ardhshme. Ju e shtruat pyetjen se kush duhet të promoj këtë strategji? Kosova së paku duhet të ketë një strategji të integruar, e cila do t’i reflektonte pikëpamjet zyrtare të zhvillimit të Kosovës, pikëpamjet e shoqërisë civile dhe sigurisht edhe pikëpamjet e komunitetit ndërkombëtar së bashku me donatorë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në cilat pika strategjike duhet të mbështetet ajo që ju e quani vizioni i ardhmërisë së ekonomisë së Kosovës?

MUHAMED SADIKU
Unë mendoj se është më se e sigurt se vizioni i ardhshëm duhet të bazohet në nevojën për rritjen e kapitalit privat në Kosovë, në rritjen e nevojës së kapitalit privat dhe investimeve private në bruto produktin e vendit. Orientimi tjetër-Kosova gjithnjë e më tepër duhet të forcojë institucionet e ekonomisë së tregut, të rregullohet tregu i Kosovës, të mbrohet konkurenca dhe një bllok i veçantë, një drejtim i veçantë është nevoja e Kosovës që të përfshihet sa më tepër në integrimet rajonale dhe, pse jo, edhe drejt Bashkësisë Evropiane.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë çështjet strategjike në rrafshin ekonomik?

MUHAMED SADIKU
Në rrafshin ekonomik drejtime tejet të rëndësishme strategjike, të cila imponohen, janë që institucionet shtetërore dhe joqeveritare t’i hartojnë studimet e veta sektoriale, do të thotë se është e nevojshme që Kosova të ketë disa strategji të veta sektoriale nëpërmes të cilave do të reflektohet në mënyrë të qartë zhvillimi i ardhshëm. Këtu në rradhë të parë mendoj se Kosova duhet të hartojë strategjinë e ndërtimit të ndërrmarrjeve të vogla dhe të mëdha. Është e pamundur që Kosova të ketë një strategji të integruar pa një strategji të qartë të zhvillimit të ndërrmarrjeve të vogla dhe të mëdha, duke ditur se grupacion i ndërrmarrjeve duhet të sjellë ndryshime radikale në strukturën ekonomik të Kosovës, në strukturën pronësore të Kosovës, në strukturën e zhvillimit teknologjik dhe në rritjen e pjesëmarrjes së Kosovës dhe në fund të fundit në tregëtinë ndërkombëtare. Pastaj, është e nevojshme që të bëhen hulumtime dhe të bëhen strategji mbi zhvillimin e infrastrukturës, duke pasur parasysh se Kosova përballet gjithnjë e më tepër me shpërpjestime të mëdha në zhvillimin e infrastrukturës dhe faktikisht infrastruktura tani paraqitet si fyt i ngushtë për zgjerimin e zhvillimin ekonomik në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Ajo që unë mendoj që ka rëndësi vendimtare është se strategjia duhet të jetë e qartë, me adresimin e qartë të problemeve, sidomos dokumenti i strategjisë duhet të jetë i kuptueshëm për investime, do të thotë për investitorë.

Intervistoi Gëzim Baxhaku


XS
SM
MD
LG