Ndërlidhjet

NEXHAT DACI: PAVARËSIA E KOSOVËS ËSHTË KËRKESA MINIMALE E KOSOVARËVE


Intervistë me Nexhat Dacin, kryetar i Kuvendit të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zhvillimet e fundit në Kosovë kanë nxitur mbajtjen e një séance në Këshillin e Sigurimit. Si i vlerësoni qëndrimet në lidhje me Kosovën nga kjo seancë, e cila qe thirrur me kërkesën e Beogradit?

NEXHAT DACI
Unë kam qenë përafërsisht i informuar edhe para mbajtjes se si do të zhvillohet, prandaj kam qenë shumë optimist që Këshilli i Sigurimit, si institucion i atij serioziteti nuk mund të bie në gracka, të dezinformohet dhe rrjedhat ishin të atilla përafërsisht, edhepse nuk është ky kompliment kjo për ne si institucione në Kosovë. Kjo është vazhdimësi e lëshimeve të UNMIK-ut, por edhe tonat. Është shfrytëzuar një vakum i mospranisë së përfaqësuesit special në Kosovë. Ne do ta vazhdojmë punën tonë edhe më me këmbëngulsi që t’i mbrojmë qytetarët e Kosovës mbi atë që kemi kompetenca duke vepruar politikisht, pasi që kuptohet se siguria është pjesë e rezervuar. Por, po mundohemi që këto raste t’i shfrytëzojmë që edhe në atë sferë të depërtojmë me përgjegjësitë tona dhe unë kam filluar ta ndryshoj fjalorin, nuk kërkoj më përgjegjësi, por fuqi për institucionet legjitime të Kosovës, sepse mendoj se ne do të mund të ndikojmë në përmirësimin e sigurisë së qytetarëve të Kosovës e ky ndoshta është kushti themelor për arritjen e diçka më të madhe që ne kemi si aspiratë dhe strategji në institcione.

RADIO EVROPA E LIRË
Përgjithësisht situata e sigurisë vlerësohet se është tensionuar, sidomos pas vrasjes në Gorazhdec. Çfarë efektesh për Kosovën mund të prodhojë ngritja e shkallës së dhunës?

NEXHAT DACI
Efektet sigurisht që janë të hetueshme në aspektin negativ. Unë pres që në start të punës në parlament, përfaqësuesit serbë të ngrisin atë problem në nivel politik, sepse edhe qëndrimi i Beogradit është që të prolongoj sa më gjatë zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës dhe ta cenojë autoritetin e popullit të Kosovës dhe institucioneve të saja. Prandaj, unë jam i përgatitur për nisma të tilla. Por, sugjerimet e mia janë gjithmonë që ne të mos merremi tepër me provokimet e fqinjëve tanë, në këtë radhë të Beogradit, po t'i bëjmë punët tona në mënyrë më të përgjegjshme, me një profesionalizëm më të madh dhe në proces të pandërprerë.

RADIO EVROPA E LIRË
Tensionimet e fundit si dhe reaksionet Beograd – Prishtinë, janë vlerësuar se mund të reflektohen dhe në vetë procesin e bisedimeve të paralajmëruara teknike. Shefi i ri i UNMIK-ut ka thënë këto ditë se atij nuk do t’i mjaftojë një vit për t’i ulur dy palët në tavolinën e bisedimeve. Si e shihni ju këtë qëndrim të zotit Holkeri?

NEXHAT DACI
Prolongime në bisedime nuk ka, sepse ju e dini që unë kam deklaruar që nuk do të ketë takime para vjeshtës, sepse temperaturat janë shumë të larta gjatë verat, çka në fakt unë kam menduar në vakumin politik që e kemi pasur dhe në tensionimet që i kam pritur gjatë këtij vakumi. Bisedat do të fillojnë edhe pse unë nuk pres asnjë zgjidhje spektakulare. Zotit Holkerit unë do t’i them edhe në takimin e të martes që është caktuar në zyrën time që ne nuk e kemi një vit, por një vit e gjysëm, sepse mandati ynë është deri në fund të vitit 2004. Prandaj, unë mendoj që është koha optimale. Do të kemi rezultate të atillë që të bëjmë një punë politike me bashkësinë ndërkombëtare e cila do t’i pranojë rezultatet tona. Mendoj se koha është plotësisht e mjaftueshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Këto ditë në Prishtinë është komentuar shumë edhe kushtetuta e Serbisë, e cila në preambulën e saj e parasheh Kosovën si pjesë të Serbisë. Ka deputetë dhe grupe parlamentare që kërkojnë një reagim të Kuvendit lidhur me këtë. Ju si kryetar çfarë mendimi keni lidhur me këtë çështje?

NEXHAT DACI
Mendoj që nuk duhet të nxitohemi dhe të jemi të emocionuar të presim që parlamenti i Serbisë apo Serbia të thotë se ne kemi hequr dorë nga Kosova dhe ta heqim Kosovën nga kushtetuta. Nuk i kuptoj shumë as emocionet aq të mëdha, e kuptoj të keqën që bëri Serbia në Kosovë. Por, në qoftë se ne humbim kohë dhe energji kot për ta bindur një vend që nuk arriti ta bindë bashkësia ndërkombëtare për decenie me radhë, ajo rrugë nuk është rezultative për mua. Unë do t’u thoja qytetarëve të Kosovës dhe shqiptarëve gjithkund ku gjenden, që të mos bien pre ose në grackë të dështakëve politik dhe profesionalë në Kosovë. Mos të bien pre e atyre që thonë se institucionet po e humbin kredibilitetin dhe legalitetin. T’i shohim rezultatet. Unë do ta bëjë atë punë që populli i Kosovës pret prej parlamentit si institucionit më të lartë dhe jam gjithsesi i mendimit që edhe bashkësia ndërkombëtare po e ndërron bindjen e vet. Unë e them me krenari se prej zero përqind përkrahjes sa kisha para një viti për konceptet e parlamentit, sot përkrahja është mbi 70 përqind, prandaj unë kërkoj që ne duhet të punojmë më tepër. Ne duhet t’ua themi të vërtetën qytetarëve të Kosovës dhe shqiptarëve në veçanti për atë që nuk është e mundur. Unë e them me përgjegjësi që ne duhet të sigurojmë një mjedis të sigurtë për të gjitha etnitë në Kosovë. Ne nuk i bëjmë nder traditës shqiptare me sjellje jo korrekte, ndaj turqve, ndaj romëve, ndaj serbëve ose ndaj dikujt, sepse vetë kemi pasur një të kaluar shumë të përvuajtur dhe do t’ishte katastrofë sikur ne t’a projektonim të njejtën ardhmëri.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se një vit e gjysëm i mandatit të këtyre institucioneve do të mjaftojë për ndryshimin e gjendjes në terren dhe përgatitjen e procesit të zgjidhjes apo të definimit të statusit të Kosovës?

NEXHAT DACI
Unë mendoj po. Jo në nivelin e dëshirave që i kemi, të mendojmë që Kosova do të jetë një vend i Bashkësisë evropiane me standardet e tilla. Por, sigurisht bisedimet intensive që i kam me Qeverinë fillojnë menjëherë të japin rezultate dhe ta kuptojë edhe bashkësia ndërkombëtare. Do të thotë një vit e gjysëm punë në evolucion është shumë pak. Por, për punë serioze dhe këmbëngulëse mund të jap rezultatet fillestare. Qëllimi im është që lakorja që ka filluar të stagnojë, në zhvillimin e Kosovës, në segmente të caktuara edhe të bie dhe të ketë një kthesë të kundërt të rritjes, të fillojmë ne të shohim një vizion të ecjes përpara të Kosovës dhe ajo të na bënte të lumtur, mua dhe të tjerët në institucionet e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Si i vlerësoni ju propozimet që këto ditë u dhanë nga G-17-shi në Beograd, për dy opcione sa i përket zgjidhjes së statusit të Kosovës, ai i ndarjes apo opcioni i autonomisë territoriale për serbët e Kosovës?

NEXHAT DACI
Unë mendoj që grupi i cili e ka publikuar apo e ka thënë këtë, është grupi që në aspektin profesional më së shumti e respektoj në Serbi. Ky grup mbledh në vete një grup të njerëzve profesionalistë dhe të mençur, por opcionet e ndarjeve janë opcione të kaluara. Një pjesë e asaj deklarate, ku thotë që serbët duhet t’i zgjedhin përfaqësuesit e vet, unë e mbështes plotësisht. Unë jam adhurues i asaj që edhe etnitë më të vogla në Kosovë t'i kenë përfaqësuesit e vet, mazhoranca mos t’i imponojë zgjedhjet. Do të thotë ka pjesë të deklarimeve të tilla që janë të pranueshme dhe se unë mendoj se me atë pjesë të opinionit profesional në Serbi mund të bashkëpunohet dhe t’u japim argumente që qytetarët serbë të Kosovës do t’i kenë të njejtat të drejta dhe obligime si shqiptarët në mazhorancë. Por, konceptet e ndarjeve territoriale kanë përfunduar, prandaj është zgjidhje absolitisht në aspektin pragmatik e pamundur dhe të mos humbim energji në të. Unë do t’u sugjeroja profesionistëve në Serbi, që ne të takohemi në Bruksel dhe në Uashington si entitete të barabarta dhe të pavarura, por me të drejta reciproke që Serbia të ketë të drejtë të interesohet për cilësinë e jetës së serbëve të Kosovës, siq do ta ketë të drejtën që Kosova të interesohet për jetën e qytetarëve shqiptarë në Luginën e Preshevës apo në Kosovën Lindore siq e kanë definuar ata me referendum. Prandaj asnjë zgjidhje tjetër në Kosovë nuk ekziston pos pavarësisë së Kosovës, sepse ka opcione edhe tjera, kjo është zgjidhja më e lehtë dhe më minimale e kërkesave të kosovarëve. Unë mendoj se po vetëdijësohet dhe një shtresë e madhe në Serbi për realitetet që kanë qenë gjithmonë, por që politika nuk ka dashur t’i akceptojë. Thjesht unë jam optimist që me punën tonë, jo duke shikuar punën e të tjerëve, ne do t’u japim garanci të gjitha etnive në Kosovë dhe bashkësisë ndërkombëtare.
Intervistoi Zijadin Gashi

XS
SM
MD
LG