Ndërlidhjet

VIZITA DO TË KISHTE NJË SIMBOLIKË TË MOSPAJTIMIT ME DHUNËN


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Rrjeti i organizatave joqeveritare të Kosovës është detyruar të shtyjë për kohë të pacaktuar një vizitë të planifikuar për sot në varret e fshatit Gorazhdevc të Pejës, për të nderuar viktimat e dhunës së javës së shkuar në këtë fshat, ku qenë vrarë dy të rinj serbë nga persona deri më tash të panjohur për policinë. Ylber Hysa drejtor i Institutit Kosovar për Inicitiva Qytetare, KACI, tha sot se manifestimi kundër dhunës së ditëve të fundit në Gorazhdevc dhe në Pejë ku kanë pësuar disa fëmijë serbë e shqiptarë, me gjithë gatishmërinë e OJQ-ve, të kryeministrit Rexhepi dhe shumë personaliteteve të tjera të njohura, është shtyrë, për shkak të mosgatishmërisë së familjarëve të viktimave për të lejuar këtë, tha zoti Ylber Hysa. “Më duhet t’ju njoftoj se ky aksion i yni është shtyrë për faktin se familjet në Gorazhdevc, për arsyet e tyre ndoshta të arsyeshme kanë hezituar që pikërisht sot të ndodhë kjo, ngase ata ende janë në dhimbje dhe ne kemi vendosur që këtë aksion ta shtyjmë për një kohë kur do të ekzistojë një vullnet i mirë”, tha Hysa
Ai tha se iniciativa kishte për qëllim që t’u shprehen ngushëllime familjeve të dy të rinjve serbë të vrarë në Gorazhdevc dhe të dy fëmijëve shqiptarë të vrarë më herët në Pejë dhe për t’u solidarizuar me dhimbjen e këtyre familjeve, mirëpo, tha Hysa ata nuk do të heqin dorë nga ky aksion dhe presim që në të ardhmen ta realizojnë këtë manifestim kundër dhunës. Kjo protestë qytetare kishte simbolikën e mospajtimit me aktet e dhunës, tha Hysa, duke njoftuar se ftesës së 60 organizatave joqeveritare të Kosovës i ishin përgjigjur shumë personalitete. “Duke filluar nga kryeministri i Kosovës i cili e ka konfirmuar vullnetin e tij të mirë, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ipeshkvi Mark Sopi, imami Rexhep Boja dhe personalitete të tjera, si dhe anëtarët e korit diplomatik, duke filluar edhe shefja e zyrës amerikane, Marcie Ries, Marks Dikinson, Peter Rondorf, Pascal Fieschi etj”.
Zoti Hysa tha sot se KFOR-i dhe UNMIK-u kanë qenë të gatshëm gjatë gjithë kohës që të ndihmojnë në punë të sigurisë dhe kanë ofruar edhe ndihmën e tyre teknike për realizimin e këtij manifestimi.
Kjo iniciativë e organizatave joqeveritare të Kosovës ka pasuar thirrjet e disa institucioneve dhe personaliteteve ndërkombëtare drejtuar shoqërisë kosovare për të dënuar dhunën, jo vetëm verbalisht, por edhe me veprime konkrete, ndërkohë që drejtuesit e institucioneve të Kosovës e patën dënuar ashpër incidentin e Gorazhdevcit, si dhe aktet e tjera të dhunës që pasuan këtë ngjarje tragjike.
XS
SM
MD
LG