Ndërlidhjet

logo-print

HYDAJET HYSENI: KA ARDHUR KOHA TË PËRQENDROHEMI NË TË ARDHMEN E KOSOVËS


"Faza emergjente e rindërtimit të Kosovës dhe ndërtimit të institucioneve të saj ka përfunduar ose po përfundon. Është hedhur një bazë solide për të ardhmën e Kosovës. Ka ardhur koha të përqendrohemi në çështjen kryesore, atë të së ardhmës së Kosovës. Kjo çështje mund të zgjidhet leht e shpejt, natyrisht duke u mbështetur në vullnetin e popullit të Kosovës", tha deputeti në Kuvendin e Kosovës, Hydajet Hyseni (PDK).

RADIO EVROPA E LIRË
Organizata Joqeveritare KACI me seli në Prishtinë ka informuar për shtyrjen e vizitës së paraparë në varrezat e Gorazhdecit. Është thënë se kjo vizitë kishte për qëllim nderimin e dy serbëve të vrarë ditë më parë nga persona të panjohur. Z. Hyesini është thënë se kjo vizitë do të kishte edhe një simbolikë të mospajtimit me dhunën. Si e vlerësoni ju këtë zhvillim në tërësi?

HYDAJET HYSENI
Do të ishte normale që në raste të tilla të reagohet dhe të manifestohet një solidaritet me viktimat dhe familjet e tyre. Kjo me siguri do të ndodhte sikur të mos ishte politizimi në shkallë të lartë. Madje ky politizim i hap dyshime serioze edhe sfondit dhe motiveve të verteta të akteve të tilla. Nuk është puna se ato vetem koincidojnë vazhdimisht me ngjarje të rëndësishme për Kosovën dhe të ardhëmn e saj, por është edhe një prirje për të politizuar, për të manipuluar, për t'i kapitalizuar rastet e tilla dhe krijojnë dyshimin e bazuar se ata që dëshirojnë të kenë aq shumë raste të tilla nëse nuk do t'i gjenin ata do të ishin në gjendje edhe t'i fabrikonin, apo t'i prodhonin ato, siç ka ndodhur edhe në të kaluarën. Kemi përvojë shumë të hidhur me forma të tilla të luftës speciale kundër Kosovës. Këto në përgjithësi krijojnë tensione dhe krijojnë gjendeje shumë të rëndë në Kosovë në përgjithësi dhe në veçanti në raportet ndëretnike.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju thatë se rastet e tilla po politizohen. Sipas jush kush po i politizon këto raste?

HYDAJET HYSENI
Është e qartë. Është një tendencë në Beograd, në politikën serbe në Kosovë dhe në politikën serbe në përgjithësi në Serbi, që rastet e tilla t'i atribuohen shqiptarëve, të fajsohen ata koletivisht dhe në këtë mënyrë harrohet se po të shkojmë me këtë logjikë, po të fajsonim kolektivisht një komunitet ose një politikë për atë që ka ndodhur ndaj një komuniteti tjetër, cila do të ishte pozita e Serbisë dhe e institucioneve të saj, cila pozita edhe e vetë atyre që bëjnë akuza të tilla, duke marr parasysh edhe faktin se ata kanë qenë drejtpërdrejt të përfshirë në politikat që janë zhvilluar në Kosovë. Për fat të keq krijohet përshtypja se politika serbe po e ndryshon gëzofin, por nuk po e ndryshon thelbin e politikës së Millosheviqit dhe ai ishte shovenizmi. Demokracia dhe shovenizmi nuk shkojnë bashkë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ditëve të fundit po diskutohet shumë rreth fillimit të bisedimeve për çështje teknike midis Prishtinës e Beogradit. A është e përgatitur pala kosovare për këto bisedime?

HYDAJET HYSENI
Kam përshtypjen se në Kosovë ka një paqartësi se çka synohet me këtë dialog. Në përgjithësi ka një koncenzus rreth asaj se është e nevojshme të bëhen përpjekje për normalizimin e gjendjes në përgjithësi në Kosovë, por edhe për normalizimin e raporteve ndërmjet Prishtinë dhe Beogradit, në kuadër të normalizimit të gjendjes së përgjithshme në rajon. Por, ekziston edhe një përshtypje tjetër se ky dialog, sidomos në disa qarqe ndërkombëtare, më shumë ju duhet si qëllim në vete. Si një dialog për dialog, për të evidencuar diku një sukses. Ne kemi pasur përvojë edhe në të kaluarën se qasjet e tilla që nuk fokusohen në problemet kryesore që gjenerojnë pastaj probleme tjera, mund të jenë edhe kontarproduktive. Mund të dëmtojnë edhe pikërisht idenë që motivon dialogun. Kosovës nuk i duhet një dialog për dialog, por një dialog konstruktiv që bën të tejkalohen problemet e krijuara. Mendoj se i duhet edhe Kosovës, edhe Serbisë, edhe rajonit. I duhet paqes e stabilitetit në rajon dhe për këtë do të ishim të gjithë dakort. Kjo qasje nënkupton edhe përgatitjet e duhura dhe evitimin e grackave, siç janë ato që po imponohen nga Serbia. T'i shpallësh Kosovës praktikisht luftë kushtetuese, ta përballesh Kosovën me një agresion të ri kushtetues dhe në anën tjetër të deklarosh se je për dialog, thënë më së buti, është hipokrizi. Nëse prejudikohet e ardhmja e Kosovës, nëse përsëritet politika e Millosheviqit dhe loja e tij me kushtetuta që i ka kushtuar aq shumë jo vetem Kosovës, por edhe Serbisë dhe rajonit në përgjithësi, atëherë çfarë kuptimi ka dialogu për çështje teknike. Në fund të fundit, çka i ka shkaktuar ato çështje teknike. Janë pikërisht lojrat e tilla politike.

RADIO EVROPA E LIRË
Në Kosovë para disa ditësh ishte për një vizitë njohëse kryeadministratori i ardhshëm, Hari Holkeri. Cilat mendoni ju se do të ishin prioritet e punës së tij?

HYDAJET HYSENI
Z. Hari Holekri është një politikan me përvojë dhe sjellë përvojën shumë të rëndësishme të popullit finlandez në rrugën e vështirë dhe të sukseshme për pavarësi, e ka rastin për ta përfunduar me sukses misionin ndërkombëtar në Kosovë. Faza emergjenet e rindërtimit të Kosovës dhe ndërtimit të institucioneve të saj ka përfunduar ose po përfundon. Është hedhur një bazë solide për të ardhmën e Kosovës. Ka ardhur koha të përqendrohemi në çështjen kryesore, atë të së ardhmës së Kosovës. Kjo çështje mund të zgjidhet leht e shpejt, natyrisht duke u mbështetur në vullnetin e popullit të Kosovës, në parimet demokratike të mirënjohura dhe në këtë mënyrë të krijohen kushtet që Kosova të jetë vertetë një shembull i shoqërisë së re demokratike tolerante e pluraliste në interes të të gjithë popujve dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës. Askush në Kosovë nuk ka asgjë kundër të ashtuquajturave standarde. Ajo që kërkohet në Kosovë është që standardet të jenë vertetë standarde dhe si të tilla të aplikohen njësoj si në Kosovë ashtu edhe jashtë saj. Sikur është fjala për komunitetet minoritare në Kosovë ashtu edhe shqiptarët jashtë Kosovës dhe nga ana tjetër kosovarët kërkojnë me të drejtë që të mos i kenë duart e sytë të lidhur. Nuk mund të ecë shpejt askush në qoftë se nuk e di se ku po shkon, në qoftë se i ka duart e lidhura.
Intervistën e zhvilloi Fatmir Bujupi


XS
SM
MD
LG