Ndërlidhjet

ALI HAMITI: DIMRIN QË VJEN DO TË KETË RRYMË TË MJAFTUESHME NË KOSOVË


Intervistë me Ali Hamitin, drejtor i Bordit ekzekutiv të KEK-ut

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë është aktualisht kapaciteti prodhues i energjisë elektrike në Kosovë?

ALI HAMITI
Kapaciteti i prodhimit është relativ. Janë kapacitete të disponueshme dhe të instaluara. Zakonisht ne flasim për kapacitete që janë në dispozicion për të prodhuar energji elektrike. Aktualisht në gjendje prodhimi janë 4 blloqe të Kosovës A dhe një bllok i Kosovës B. Megjithatë, disponueshmëria e Kosovës A është relativisht e ulët. Tash për tash, në Kosovën A janë në punë blloku i tretë dhe i katërt, ndërsa në Kosovën B është duke punuar blloku i dytë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur pritet të përfundojë renovimi i bllokut të parë të termocentralit “Kosova B”, i cili ishte paralajmëruar se do të riaktivizohej në fund të gushtit ose në fillim të shtatorit?

ALI HAMITI
Blloku B1 është në një riparim general, pas avarisë që ka ndodhur gjatë vitit të kaluar. Kontarktori, Alstomi, është duke i bërë riparimet sipas kontratës së nënshkruar. Alstomi ka kërkuar disa herë që afati i riparimit të zgjatet, për shkak disa problemeve personale, kështuqë lëshuarja në punë, që është deklaruar fillimisht, do të shtyhet edhe për një kohë. Sidoqoftë, blloku B1 do të jetë i gatshëm për prodhim në fillim të dimrit.

RADIO EVROPA E LIRË
A përmbushen nevojat e konsumit të energjisë në Kosovë, pas aktivizimit të këtij blloku dhe sa megavatë mund të prodhohen në kushte optimale?

ALI HAMITI
Zakonisht kërkesat janë shumë të larta. Shpresojmë që ky dimër të mos jetë shumë i vështirë. Sidoqoftë, kapacitetet tona prodhuese që janë në dispozicion nuk mjaftojnë për ta mbuluar kërkesën e gjithmbarshme për energji elektrike të Kosovës. Kjo është më shumë e theksuar në periudhën e kërkesave maksimale që ne e quajmë “periudhë të pikut”. Prandaj është i domosdoshëm importi i energjisë, së paku për orët pikut.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju përmendet nevojën e importit. Cilat janë janë mundësitë e importit të energjisë?

ALI HAMITI
Mundësi për importin e energjisë ka gjithmonë, por varet çfarë janë çmimet e energjisë. Fatmirësisht, Qeveria dhe Këshilli Ekonomik Fiskal i Kosovës kanë vendosur që KEK-un ta ndihmojnë me një fond për import, gjatë këtij dimri. Së shpejti, ne, bashkë me Qeverinë dhe AKM-në, do ta shpallim një tender për importimin e energjisë dhe shpresojmë se do të gjejmë energji me çmim të favorshëm në sistemet energjetike të rajonit. Por, kjo do të varet shumë edhe nga vetë konsumatorët. Ne u kemi bërë thirrje të shumta konsumatorëve që ta kursejnë energjinë elektrike maksimalisht dhe që atë energji elektrike që e hargjojnë ta paguajnë.
Intervistoi Hyrë Tejeci


XS
SM
MD
LG