Ndërlidhjet

PËRPJEKJET E STRUKTURAVE TË SERBISË PËR TË VEPRUAR NË KSOVOË JANË TË PALIGJSHME


Shërbimet e zbulimit dhe policia e as ushtria serbe nuk kanë kompetenca të veprojnë në Kosovë dhe çdo përpjekje e tyre për ta bërë këtë do të konsiderohej ilegale kanë thënë sot zyrtarë të policisë ndërkombëtare në Prishtinë, duke iu përgjigjur një vendimi të Këshillit për Siguri Kombëtare të Serbisë, që ka urdhëruar shërbimet e zbulimit, përfshirë edhe atë të ushtrisë, që sa më shpejt të zbulojnë rrjetin e krimit të organizuar në Kosovë, që qëndron para organizatave dhe aktiviteteve terroriste, siç thuhet. Zëdhënësi i parë i policisë ndërkombëtare në Prishtinë, Derek Chappell tha për Evropën e Lirë se përpjekjet e tilla do të ishin të kundërligjshme:
“Policia e UNMIK-ut, SHPK-ja dhe KFOR-i janë trupat e vetme për zbatimin e ligjit dhe ofrimin e sigurisë në Kosovë, prandaj çfarëdo agjencie tjetër që përpiqet të veprojë këtu, do ta bënte një gjë të tillë pa mbështetje ligjore”, tha zoti Derek Chappell.
Ai i ka quajtur të papranueshme përpjekjet e tilla, duke thënë se shërbimet serbe mund të ofrojnë bashkëpunim, por jo duke vepruar në Kosovë në asnjë mënyrë:
“Ne do ta çmonim bashkëpunimin e tyre nëse do të shfrytëzonin kapacitetet e tyre policore të ushtrisë dhe të zbulimit në Serbi dhe në Mal të Zi, mirëpo, është e sigurt se ata nuk kanë kompetenca të veprojnë brenda Kosovës”, tha zëdhënësi i policisë, Derek Chappell.
Ndërkohë, kryeministri i Serbisë, Zhivkoviq, ka mbledhur ambasadorët e Serbisë e Malit të Zi, për t’ua dhënë detyrat orientuese për Kosovën, duke vendosur kështu për krijimin e librit të bardhë për Kosovën, në të cilin do t’i jepeshin dëshmi botës se, siç thuhet, ata që deri tash janë quajtur luftëtarë të lirisë, qëndrojnë prapa akteve kriminale në Kosovë. Zhivkoviq ka thënë se për ta kryer këtë detyrë do të angazhoheshin policia, shërbimet sekrete të zbulimit dhe dy shërbimet sekrete të ushtrisë.
Analisti Blerim Reka, ekspert për çështje juridike, mendon se përpjekja e tillë e Serbisë për të ndërhyrë në punë të brendshme të Kosovës është pasojë e marrëveshjes Haekkerup-Çoviq:
“Me vetë faktin që Haekkerup u ka lejuar një ndërhyrje, një involvim edhe policisë edhe gjyqësisë edhe strukturave të tjera shtetërore serbe, në çështje që kanë të bëjnë me Kosovën, deri sa UNMIK-u e qeveris Kosovën, ata e kanë kuptuar si sinjal se edhe shërbimet e inteligjencës serbe mund të veprojnë këtu”, thotë zoti Reka, duke u shprehur i bindur se shërbimet sekrete serbe janë të pranishme në Kosovë, sidomos në pjesën veriore të Mitrovicës:
“Jam i bindur se ato veprojnë në Kosovë, por nuk besoj se, jo se jo institucionet e përkoshme të Kosovës, por as UNMIK-u dhe as PSSP do t’iu lejojë shërbimeve të inteligjencës serbe të veprojnë legalisht këtu dhe të japin vlerësime për vrasjen”, tha zoti Reka për të përfunduar se Beogradi duhet ta shlyejë nga mendja se Kosova është nën kontrollin e tij dhe se ai është përgjegjës për Kosovën.
Në ditët kur ndodhën disa incidente tragjike në Kosovë, disa serbë lokalë nga Këshilli Kombëtar Serb patën kërkuar kthimin e policisë dhe ushtrisë serbe në Kosovë, por kryeministri Zhivkoviq i pati quajtur ato kërkesa krekosje momentale, duke shtuar se Serbia qe përpjekur një herë të zgjidhte problemet me luftë dhe dihet se si kaloi.

Pergatiti: Rrahman Paçarizi

XS
SM
MD
LG