Ndërlidhjet

BLAIR SABOTON PLANIN FRANCEZ PËR ARMATËN E BE-së


TIMES, Londër

Britania do të përpiqet për ti kundërshtuar veprimet e udhëhequra nga Franca për ndërtimin e një force mbrojtëse të Bashkimit Evropian, jashtë strukturës komanduese të Natos. Në këtë kuadër, planet e Britanisë do të shpallen këtë javë. Sipas informatave të fundit, Britania do të propozoj krijimin e një "celule planifikuese" kushtuar ushtrisë së Bashkimit Evropian për ti forcuar kapacitetet mbrojtëse të Evropës. Meqë kjo "celulë planifikuese" do të vendosej në selinë ushtarake të Natos, do të evitohej shkatërrimi i aleancës veri-atlantike, të krijuar para 50 viteve.

Kjo lëvizje konsiderohet si hapi i parë i Londrës, në diskutimet që mendohet se do të jenë tejet të pakëndshme, që do të zhvillohen gjatë kësaj vjeshte me Francën, me Gjermaninë, me Belgjikën dhe me Luksemburgun, që kanë formuar një grup të ndarë që synon vazhdimin e planeve për një forcë evropiane autonome.

Në Prill të këtij vitit, kryeministri Tony Blair kishte kundërshtuar planet që ishin inicuar nga presidenti i francës, zoti Chirac dhe kancelari gjerman Gerhard Shroder, në periudhën kur kishte mospajtime të mëdha në Bashkimin Evropian lidhur me luftën në Irak. Kryeministri britanik kishte thënë se ai do të bllokoj çdo gjë që mund ta dëmtonte Naton.

Zoti Chirac beson se Evropës i duhen kapacitete më të mëdha mbrojtëse dhe se nuk do të duhej ti nënshtrohej Natos në rast të vendosjes së trupave.
Sipas zyrtarëve britanikë, plani për "celulën planifikuese ushtarake" – e vendosur në Nato – operacioneve të Bashkimit Evropian do tu jepte "një identitet përkatës" dhe do të pengonte mbështetjen eventuale për idetë franceze. Zyrtarët britanikë, që kanë marrë pjesë në hartimin e planeve, janë të vetëdijshëm se Italia, Spanja, Irlanda dhe një numër i madh i anëtarëve të rinjë nga Evropa Lindore do ta mbështesin propozimin.

Sipas procedurave ekzistuese, zyrtarët e mbrojtës të Bashkimit Evropian vetëm mund ti këshillojnë ministrat se a do të mund të vendoseshin forcat evropiane. Pasi të jetë arritur vendimi politik, Natoja e merr përgjegjësinë e plotë për planet ushtarake.

Megjithatë, ministrat britanikë janë të përgatitur për kritika eventuale nga opozita konservative që thotë se çdo bashkëpunim i mëtejshëm në fushën e mbrojtjes do ta dëmtoj sovranitetin britanik. Franca dhe anëtarët e tjerë të grupit të ndarë poashtu mund ta refuzojnë propozimin, duke thënë se nuk është i mjaftueshëm. Ky grup, të cilit mund ti bashkohet edhe Greqia, planifikon që të takohet në muajin shtator.

Një burim nga zyra e jashtme në Londër ka thënë se "ne duhet të jemi të sigurtë se kemi kapacitete të plota për të planifikuar dhe për të ndërmarrë operacione...propozimi paraqet një mundësi për ta bërë këtë brenda struktuarave ekzistuese të Bashkimit Evropian dhe të Natos".
XS
SM
MD
LG