Ndërlidhjet

BAJRAM REXHEPI KËRKON ROL AKTIV TË SHBA-ve DHE TË BE-së NË BISEDIMET TEKNIKE ME BEOGRADIN


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, tha sot se koha e fillimit të bisedimeve teknike me Beogradin, vendi ku do të mbahen bisedimet si dhe suksesi i tyre nuk mund të paragjykohet tani, por se ato mund të kenë sukses vetëm nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kenë rolin e tyre aktiv në këtë dialog. Ai i ka bërë këto komente pas mbledhjes së rregullt të qeverisë së Kosovës. Rexhepi tha se si Qeveri, por edhe institucionet tjera e shohin si të domosdoshëm rolin e Shteteve të Bashkuara në bisedime, qofshin edhe ato teknike. “Ne jemi shprehur disa herë se pa prezencën aktive, pjesmarrjen ose ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Unionit Evropian asnjë bisedim, qoftë edhe për çështje teknike, nuk mund të ketë sukses”. Ndërsa i pyetur se cilat janë preferencat e Kosovës midis ndërmjetësimit amerikan dhe evropian Rexhepi u përgjigj: “Nuk kemi ne çka këtu me preferenca. Dihet se kush ka qenë më i vendosur dhe më pragmatik. Nëse shihet kjo në atë konstalacionin që ne jemi në Evropë, ajo është dashur të jetë më tepër kompetencë e Unionit Evropian, mirëpo meqenëse prej fillimit veprimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë qenë më të fuqishme, është e domosdoshme që ata të kyçen vazhdimisht dhe ndoshta ta kenë dhe rolin udhëheqës”.
Përndryshe, kryeministri Rexhepi ka thënë po ashtu se dialogun e paralajmëruar, po e pengojnë dhe bëjnë gati të pamundur veprimet e Beogradin ndaj Kosovës, siç është miratimi i deklaratës dhe futja e Kosovës si pjesë e Serbisë në kuadër të preambulës kushtetutese. Ndërkohë një çështje tjetër për të cilën kryeministri kosovar ka reaguar ashpër, ishte plagosja e një serbi në rajonin e komunës së Klinës. Ai lëshoi sot mbledhjen e Qeverisë dhe vizitoi këtë rajon me ç’rast ka dënuar këtë akt dhe u ka bërë thirrje serbëve të atjeshëm që të qëndrojnë nëpër shtëpitë dhe pronat e tyre si dhe i ka ftuar të zhvendosurit të kthehen. “Biseduam me vendasit, me njerëzit të cilët janë kthyer në pronat e tyre, pra në dy fshatra të komunitetit serb në komunën e Klinës. Pra ne u shpjeguam atyre gatishmërinë tonë me aq sa ne kemi kompetenca do të përkrahim projektet e kthimit, mirëpo edhe ata duhet ta kenë pjesën e përgjegjësisë dhe të jenë këmbëngulës dhe të qëndrojnë në trojet e tyre”, ka thënë Rexhepi.
Pasi që është kthyer nga fshati Biçë në rrethinën e Klinës, ku kishte ndodhur ky akt, Rexhepi u ka bërë thirrje dhe një herë organeve përgjegjëse që të jenë më efikase në ndriçimin e rasteve, ndërsa i ka
përgënjeshtruar të gjitha pohimet rreth motiveve të sulmit, duke i quajtur ato vetëm spekulime, pasi që rasti është në hetime e sipër. Zëdhënësi i policisë Berry Flatcher, ka njoftuar se serbi i plagosur, është qëlluar me armë zjarri nga një person i pajohur mbrëmë rreth orës 19:00, deri sa po udhëtonte dhe me dy persona të tjerë me traktorë, në rrethinën e Klinës. Sulmi i mbrëmshëm në Klinë ndodhi pas vrasjes së dy të rinjëve serbë në Gorazhdec të Pejës si dhe rritjen e shkallës së sulmeve të kalimtarëve shqiptarë nëpër enklavat serbe nëpër Kosovë, si reaksion i popullatës ndaj këtyre zhvillimeve. Mirëpo, pavarësisht komenteve që bëhen rreth motiveve të këtyre akteve, policia nuk ka arritur ende të ndriçojë asnjërin rast dhe të konfirmojë nëse ato kishin të bëjnë me motive etnike apo jo.

XS
SM
MD
LG