Ndërlidhjet

ANËTARËT E BE-së SHTOJNË BASHKËPUNIMIN LIDHUR ME KONTROLLIN E KUFIJVE


Ahto Lobjakas, Bruksel Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian gjatë javëve të kaluara kanë shtuar përpjekjet për koordinimin e bashkëpunimit për kufijtë e jashtëm të bllokut dhe për luftën kundër imigrimit ilegal. Italia, kryesuese aktuale e Bashkimit Evropian, çështjen e luftimit të imigrimit ilegal e ka vënë në listën e prioriteteteve kryesore dhe po përpiqet që gjatë kësaj vjeshte të arrihet marrëveshja për krijimin e rrjetit të gjërë të agjencive që do të merreshin me kontrollin e kufijëve, me politikën për viza dhe pasaporta dhe me riatdhesimin e imigrantëve ilegal.

Takimi i fundjavës së kaluar ndërmjet ministrave të brendshëm të Italisë dhe të Gjermanisë, përkatësisht Giuseppe Pisanu dhe Otto Schily, ishte tejet i rëndësishëm për çështjen e kontrollit të kufijve të jashtëm të Bashkimit Evropian. Në këtë takim u konfirmua se Gjermania, e cila një kohë të gjatë dyshonte në një bashkëpunim të gjërë të Bashkimit Evropian në çështjen e imigrimit, tash është e gatshme që të pajtohet me këtë projekt.

Është raportuar se të dy ministrat ishin pajtuar për ndarjen e punëve në koordinimin e përpjekjeve të dyanshme...Gjermania do të merret me çështjen e bashkëpunimit për kufijtë tokësor, ndërsa Italia do të jetë përgjegjëse për menaxhimin e kontrolleve të aeroporteve.

Lidhur me këtë çështje Pietro Petrucci, zëdhënës i komisionit evropian tha:

- Pjesë e asaj që ishte e shkruar është diçka që tashmë po ndodhë. Komisioni i ka propozuar, ndërsa samiti i Selanikut i ka miratuar, qendrat koordinuese për kontrollin e kufijve, që tashmë ekzistojnë në Gjermani dhe në Spanjë.

Një zyrtar i Bashkimit Evropian i ka deklaruar radios Evropa e Lirë se aksionet e përbashkëta në sferën e kontrollit të kufijve dhe të imigrimit mbeten çështje kundërthënëse, pasi Qeveritë e vendeve anëtare këtë gjë e konsiderojnë çështje të sovranitetit. Ai mëtutje tha se, megjithatë, është pothuajse e sigurtë se një agjenci e përbashkët për kontrollin e kufijve, me seli në Bruksel, do të filloj punën në fillim të vitit 2004.

Në tërë këtë çështje një faktor për të cilin ende nuk është vendosur është çështja e financimit. Italia, Spanja dhe Greqia presin mbështetje financiare nga buxheti i Bashkimit Evropian për përpjekjet për ti forcuar policitë kombëtare. Gjermania, kontribuesi më i madh i Bashkimit Evropian, i ka kundërshtuar kërkesat e tilla.

Përveç çështjes së kontrollit të kufijve, Italia është duke nxitur edhe formulimin e ligjeve të përbashkëta të Bashkimit Evropian për menaxhimin e largimit të imigrantëve ilegalë. Propozimi, për këtë çështje, që ishte bërë në fillim të korrikut, kishte nxitur kritika nga aktivistët për të drejta të njeriut.

Lidhur me këtë çështje, zëdhënësi Pietro Petrucci sikur dëshiron të distancoj komisionin nga planet e këtilla:

- Një propozim i këtillë vetëm mund të paraqitet në këshillin përkatës dhe të diskutohet. Por ne nuk jemi të vetëdijshëm për çfarëdoqoftë propozimi të definuar.

Pos çështjeve të përmendura, Italia dëshiron ta shpejtoj edhe krijimin e një sistemi të gjërë informativ të Bashkimit Evropian për vizat Shengen.





XS
SM
MD
LG