Ndërlidhjet

IAEA KONFIRMON GJETJEN E URANIUMIT TË PASURUAR NË IRAN


Ron Synovitz, Radio Evropa e Lirë

Ekspertë të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore të Kombeve të Bashkuara kanë gjetur uranium të pasuruar në shkallë të lartë për prodhimin e armëve bërthamore në stabilimentet bërthamore të Iranit në Natanz, në jug të Teheranit.
Konfirmimi vjen nga një raport 10 faqesh që u ka rënë në dorë këto ditë mediave nga një burim jashta IAEA-së. Zyrtarët e Iranit kanë thënë se programi i tyre bërthamor ka vetëm qëllime paqesore, kurse pajisjet kanë qenë të kontaminuara me uranium të pasuruar para se ato të bliheshin nga një vend i pazbuluar. Por, diplomatët nga vendet që e kanë akuzuar Iranin se zhvillon program sekret për armë bërthamore thonë se raporti bën me dije se Irani ndoshta mund të jetë më afër ndërtimit të armëve bërthamore se sa që IAEA-ja mendonte më parë.
Zëdhënësja e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për energjinë bërthamore, Melissa Fleming ka thënë se akoma nevojiten informata plotësuese lidhur me deklaratat e Teheranit se në Iran nuk ka patur aktivitete lidhur me uranium të pasuruar që do të përfshinte materiale bërthamore. "Në të vërtetë, gjurmë të uraniumit të pasuruar janë gjetur tek stabilimentet bërthanmore në Natanc. Kjo mund të sinjalizojë se ata tash më kanë uranium të pasuruar, por kjo gjithashtu mund të sinjalizojë se sqarimet që dha Teherani mund të jenë korrekte, sepse pajisjet që i kanë importuar prej jashtë kanë qenë të kontaminuara në ndonjë lokacion tjetër bërthamor", ka thënë Fleming.
Zyrtarja e IAEA-së ka thënë se tash për tash ata akoma nuk e dinë origjinën e atyre gjurmave të uraniumit të pasuruar të lartë, duke shtuar se kjo do të hetohet më tej për të gjetur përgjigjen gjatë javëve që vijnë.
Nëse studimet e mëtejshme të IAEA-së përcaktojnë se uraniumi ishte pasuruar në stabilimentet e Iranit, Fleming thotë se kjo do të jetë provë e fortë se Irani vërtet po përpiqet të ndërtojë fshehurazi armë bërthamore. "Uraniumi i pasuruar në shkallë të lartë është pjesë përbërëse për armët bërthamore dhe vërtet nuk ka vend në asnjë program civil, me përjashtim ndoshta për kërkime. Por, askush nuk dëshiron ta shohë këtë askund".
Zyrtarja e IAEA-së sqaron më tej se Uraniumi i pasuruar është i domosdoshëm për përdorim në reaktorët bërthamorë, por uraniumi i pasuruar në shkallë të lartë është përtej saj dhe përgjithësisht ka vetëm një qëllim: armët bërthamore", thotë Melissa Fleming dhe shpjegon se si ekspetët e Agjencisë kishin gjetur gjurmët e tij tek Natanz.
"Materialet bërthamore lënë gjurmë sikurse kur viret gisht në ndonjë dokument. Këto gjurmë mund të qëndrojnë në sipërfaqe të gjësendeve me decenie. Ne kemi teknika shumë të sofistikuara që mund të detektojnë material bërthamor në sipërfaqe të tyre posa të testohet. Pikërisht këtë bëmë ne", sqaron zëdhënësja e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore të Kombeve të Bashkuara, Melissa Fleming.

XS
SM
MD
LG