Ndërlidhjet

logo-print

GORDANA IGRIÇ: DEKLARATA E SERBISË NUK MUND TË KETË KURRFARË NDIKIMI NË DIALOGUN NDËRMJET PRISHTINËS DHE BEOGRADIT


Parlamenti i Serbisë dje e miratoi deklaratën, në të cilën Kosovën e quan pjesë e pandarë e Serbisë, përkundër administrimit ndërkombëtar të Kosovës.
Deklarata u miratua në prag të bisedimeve teknike që pritet të zhvillohen ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Por, analistët thonë se ky hap më shumë ka për qëllim të përfitojë pikë në skenën e brendshme politike, se sa që paraqet ndonjë strategji para bisedimeve.
Analistja Gordana Igriç, nga Instituti për Paqe dhe Luftë me seli në Londër, thotë se deklarata shërben vetëm për qëllime të brendshme politike të vendit.
Igriç i ka thënë "Evropës së Lirë" se me rritjen e tensioneve politike në skenën e brendshme të Serbisë, politikanët edhe një herë kanë vendosur ta përdorin Kosovën për të shënuar pikë politike.
"Skena politike serbe tani realisht vlon. Ka shumë grindje. Ka disa skandale në qeveri dhe të gjithë kanë presione të tregojnë se janë të bashkuar, sepse mund të vijnë zgjedhjet e parakohshme", thotë Igriç.
"Dhe, nëse mbahen zgjedhje të parakohshme, nuk shoh asnjë politikan të vetëm në Serbi, i cili publikisht do të thoshte se çështjen e Kosovës do ta trajtonte ndryshe", thotë Igriç.
Sipas saj, deklarata përdor gjuhë patriotike dhe referenca ndaj kishës, ngjashëm me ato që përdoreshin gjatë sundimit të ish presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq. Dallimi qëndron në atë se tani nuk ka valë reale të nacionalizmit, siç kishte në kohën e Millosheviqit.
Igriç thotë se pavarësisht se sa mund të jenë mllefosur politikanët shqiptarë, deklarata do të ketë pak ose kurrfarë ndikimi në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Data përfundimtare e bisedimeve, thotë ajo, me gjasë do të caktohet nën presionin e Kombeve të Bashkuara.
"Nuk mendoj se deklarata mund të ketë ndonjë ndikim në bisedimet. E para, atë që thanë paraqet deklaratë politike. Ata në të vërtetë nuk filluan të përgatitin ndonjë strategji serioze për negociatat",. thotë Igriç.
"E dyta, nëse ata deshin t'i dërgojnë mesazh bashkësisë ndërkombëtare, atëherë krejtësisht kanë gabuar, sepse Kombet e Bashkuara janë ato që do ta vendosin statusin përfundimtar të Kosovës, dhe këtë e përsërisin çdo ditë, përfshirë shefin e ri të UNMIK-ut, e jo Beogradi apo Prishtina", thotë analistja Gordana Igriç nga Instituti për Paqe dhe Luftë.

Autore e tekstit: Julia GESHAKOVA
XS
SM
MD
LG