Ndërlidhjet

HARI HOLKERI: DIALOGU DHE PAJTIMI DO TË JENË UDHËRRËFYESIT KRYESORË


Rrahman Paçarizi, Mitrovicë

Rruga e vetme për Mitrovicën është ndërtimi i besimit dhe dialogu ndërmjet komuniteteve enike, ka thënë sot shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Hari Holkeri gjatë një vizite të tij të parë në qytetin e Mitrovicës, të përfshirë javët e fundit nga incidentet dhe tensionet ndëretnike. Këto komente zoti Holkeri i ka bërë në qendrën e kulturës në pjesën jugore të qytetit, në hapjen e një ekspozite, ku merrnin pjesë edhe gjashtë kryetarët e komunave të rajonit të Mitrovicës, tre shqiptarë dhe tre serbë. Me këtë rast zoti Holkeri tha se siguria nuk do të thotë të kemi vetëm një polici dhe ushtri e fortë, por në këtë proces të integrimit dhe bashkëjetesës, një rol të rëndësishëm duhet të luajnë vetë pjesëtarët e komuniteteve, si dhe secili politikan, pasi askush nuk mund t’i detyrojë me dhunë komunitetet që të jetojnë me njëri-tjetrin. "Çelësi kryesor është mirëbesimi dhe kjo është ajo që na nevojitet. Kjo nuk është mënyrë e lehtë, por është mënyra e vetme”, tha zoti Holkeri sipas të cilit dhuna shkakton vetëm dhunë dhe askush nuk mund të shkrepë plumbin e fundit, pasi gjithëherë gjendet dikush që e kthen goditjen.
Ai tha se dhuna duhet të marrë fund dhe duhet të fillojë një frymë e re e integrimit, përmes bashkëpunimit në të gjitha fushat. Zoti Holkeri tha se zgjidhjen për Mitrovicën e shihte në disa parametra që i kishte fituar gjatë përvojës së tij. “Dialogu dhe pajtimi do të jenë udhërrëfyesi ynë kryesor që duhet ta ndjekim në rrugën tonë përpara për ta bërë Mitrovicën një qytet normal evropian. UNMIK-u po punon për të ndërtuar një jetë normale dhe një paqe”, tha zoti Holkeri duke u bërë thirrje qytetarëve të Mitrovicës që t’i japin fund ciklit të dhunës dhe të mos e lejojnë veten të bëhen pre e veprimeve ektremiste.
Zoti Holkeri më pas ka shkuar në pjesën veriore të qytetit që dominohet nga serbët e më pas ka takuar edhe zyrtarë rajonalë të UNMIK-ut, komandantin e KFOR-it dhe komandantin e policisë në Mitrovicë. Vizita e Holkerit në Mitrovicë është dalja e parë e zotit Hari Holkeri nga Prishtina, që nga e hëna kur ka marrë zyrtarsisht postin e shefit të UNMIK-ut. Kjo vizitë ka pasuar disa takime të kryetarit të komunës së Mitrovicës Faruk Spahia me kryetarin Ibrahim Rugova, kryeministrin Bajram Rexhepi dhe me kryeparlamentarin Nexhat Daci, me ç’rast ka kritikuar UNMIK-un për mosveprim për të integruar qytetin e Mitrovicës.



XS
SM
MD
LG