Ndërlidhjet

ENVER HASANI: KUVENDI I KOSOVËS DUHET TË DEBATOJË RRETH VENDIMEVE TË SERBISË PËR KOSOVËN


Intervistë me Enver Hasanin, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare në UP

RADIO EVROPA E LIRË
Parlamenti i Serbisë ka miratuar një deklaratë për Kosovën. Cilat konsideroni se mund të jenë efektet e saj sa i përket Kosovës?

ENVER HASANI
Sigurisht se në kuptimin praktik të fjalës, dokumenti i djeshëm nuk prodhon efekt imediat, praktik, apo të ndikimit praktik në trendet në Kosovë, por që në një afat më të gjatë, veçanarisht në atë që quhet fillim i negociatave për statusin e Kosovës, sigurisht që kjo e forcon dhe e bën edhe më të fuqishme pozitën e Serbisë kundrejt palës kosovare.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë, si i komentoni ju qëndrimet e lidershipit kosovarë se vendimet në Serbi nuk mund të kenë efekte sa i përket Kosovës, sepse siç thonë ata, ato janë vendime të një shteti fqinjë?

ENVER HASANI
Mendoj se një qasje e tillë ka qenë gabim. Këto fraza i kemi dëgjuar dhe kur është bërë miratimi i marrëveshjes për Unionin Serbi-Mali i Zi, e cila është baza themelore mbi të cilën është ndërtuar preambula e djeshme dhe preambula e vitit të kaluar, kur është fjala për kartën kushtetuese të unionit në tërësi, sepse kjo preambulë bëhet për kushtetutën serbe. Mendoj se ajo është ikje prej problemit. Do të thotë synim për marrgjinalizim të një çështjeje mjaft serioze, pasojat e së cilës liderët e Kosovës i ndiejnë edhe sot, por që mendoj që këto deklarata, të cilat unë i konsideroj të papërgjegjëshme, i bëjnë për konjuktura momentale politike. Besoj që në një afat më të gjatë, as ata nuk mund të përfitojnë, sepse nëse për asgjë tjetër, kjo gjeneratë e politikanëve të Kosovës do të mbahet në mend si gjeneratë, me bekimin e së cilës Kosova është rikthyer nën sovraninetin formal serb.

RADIO EVROPA E LIRË
Por sa mund të ndikojë kjo deklaratë dhe vendimet tjera eventuale në Beograd, sa i përket dialogut të paralajmëruar ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit?

ENVER HASANI
Në dialog, do të thotë gjykuar sipas deklaratave të politikanëve të Kosovës që synojnë tani ta anashkalojnë dhe marrgjinalizojnë problemin. Nuk ndikon vetvetiu në fillimin e dialogut dhe cilësinë e këtij dialogu, sepse edhe dialogun pala kosovare e ka kuptuar si çështje praktike, edhe pse unë mendoj se fjala është për një dialog i cili ka për qëllim implementimin e marrëveshjes për Unionin Serbi e Mali i Zi, përkatësisht dokumenteve pasuese. Do të thotë, dialogu për çështje praktike do të thotë dialogu për implementim të segmenteve të caktuara të jetës dhe të punës që sanksionohet me marrëveshjen për Unionin Serbi e Mali i Zi. Kështu që unë nuk pres që situata të acarohet, gjykuar sipas konjukturave politike në Kosovë, dhe as që do të ndikojë diçka në cilësinë e dialogut.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë, shefi i ri i UNMIK-ut Hari Holkeri, ka thënë këtë javë se sa i përket statusit të Kosovës nuk do të mund të vendosin as Prishtina dhe as Beogradi, por vetëm Këshilli i Sigurimit. Si e komentoni ju këtë qasje të Holkerit?

ENVER HASANI
Tani mbulesa formale e statusit të Kosovës në të ardhmen sigurisht që do të jetë e Këshillit të Sigurimit. Nuk ka këtu fare asnjë dyshim se Këshilli i Sigurimit është i mandatuar për një gjë të tillë, do të thotë për t’ia vënë kapakun, në një të ardhme të largët, unë gjykoj, kësaj pune. Kur e them Këshilli i Sigurimit, nuk e përjashtoj mundësinë që Këshilli i Sigurimit të mandatojë ndonjë organizatë regjionale siç është Unioni Evropian i cili është po ashtu pjesë e lojës këtu, për ta zgjidhur çështjen e statusit final të Kosovës. Do të thotë për ta koordinuar atë zgjidhje dhe në fund për t’i dhënë legjitimitet formalo – juridik. Ndërkohë që përmbajtja e atij dialogu, e atij statusi sigurisht që nuk nxjerr nga loja palën kosovare, palën serbe, shtetet fqinje, përkatësisht të gjithë ata faktorë të cilët në marrëvershjen e Rambujesë, dispozitatat e fundit të kësaj marrëveshje, kanë qenë të parashikuar. Do të thotë duhet të merren parasysh të gjithë këta faktorë dhe janë duke u marrë parasysh, sepse po përsëris, çështja e statusit të Kosovës është një çështje që po zgjidhet çdo ditë nga pak, do të thotë edhe preambula e djeshme dhe negociatat shkojnë në vijim të saj dhe është një operacionalizim i asaj pjese të Rambujesë dhe të marrëveshjes për Unionin Serbi Mali i Zi.

RADIO EVROPA E LIRË
Në Prishtinë disa grupe parlamentare mendojnë që reagimi i parlamentit të Kosovës duhet të jetë me deklarimin e pavarësisë së Kosovës. Si e komentoni ju këtë?

ENVER HASANI
Unë mendoj se qasja e tillë është qasje afektive, emocionale. Në politikë loja humbet në atë moment kur mbizotërojnë emocionet. Në Kuvendin e Kosovës mendoj edhe në tërë spektrin politik të Kosovës duhet të hapet një debat dhe të kërkohet përgjigje dhe sqarim nga bashkësia ndërkombëtare për sa i përket kësaj që ndodhë sot në Serbi, çka ndodhi para një viti e para dy vitesh. Do të thotë, ata duhet të sqarojnë çështjen e statusit legal për marrëveshjen për Unionin Serbi e Mali i Zi, sepse bashkësia ndërkombëtare është ajo që ka garantuar rëndësinë e asaj marrëveshjeje dhe asnjëherë nuk ka reaguar kundër preambulës së kartës kushtetuse të Unionit Serbi e Mali i zi dhe as ndaj kësaj të djeshmes. Reagimet kanë qenë kryesisht të natyrës politike, në kuptim që nuk është mirë përdorimi i tonit të ashpër në preambulë e kështu me radhë, por jo pse bashkësia ndërkombëtare e kanë ndonjëherë legjitimitetin, përkatësisht të drejtën serbe për ta futur Kosovën në këto dokumente si pjesë të saj.
Intervistoi Zijadin Gashi



XS
SM
MD
LG