Ndërlidhjet

logo-print

KRYEMINISTRI REXHEPI KËRKON BASHKËPUNIM TË DREJTPËRDREJTË ME SHEFIN E UNMIK-ut, HOLKERIN


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi duket se nuk do të marrë një përgjigje të plotë të shefi i UNMIK-ut Harri Holkleri lidhur me një propozim për bashkëpunim direkt ndërmjet tyre dhe për ndryshimin e qeverisë. Zyrtarë të UNMIK-ut thanë sot për Evropën e Lirë se një pjesë e kërkesave të kryeministrit do të zgjidhen përmes grupit për bartjen e kompetencave, ndërsa një pjesë tjetër do të shqyrtohen me kujdes në bashkëpunim me Këshillin e Sigurimit. Një zëdhënëse e UNMIK-ut, Izabela Karlovicz tha se UNMIK-u duhet t’i studiojë seriozisht dhe me kujdes sugjerimet e kryeministrit të përfshira në një letër që ia ka dhënë zotit Holkeri të martën. Ajo tha se një pjesë e kërkesave që kanë të bëjnë me bartjen e kompetencave do të shqyrtohen nga Këshilli për transferin e kompetencave. "Kërkesat e tjera kanë të bëjnë me fushat e rezervuara dhe ato duhet të shqyrtohen patjetër me anëtarët e Këshllit të Sigurimit, prandaj edhe veprimet tona do të reflektojnë pikëpamjet e KS se si duhet të veprojmë", tha zëdhënësja Karlovicz.
Në të vërtetë, në dokumentin e kryeministrit kërkohet një bashkëpunim direkt i kryeministrit me kryeadministratorin dhe më pas kërkohet edhe hapja e disa zyrave në kuadër të qeverisë, që aktualisht janë pjesë e të drejtave të rezervuara. Duke shpjeguar këto, këshilltari i kryeministrit Rexhepi, zoti Rexhep Hoti tha: "Janë të gjitha zyrat e nevojshme që përbëjnë shtyllën e një shteti. Është zyra për drejtësi, ku do të përfshiheshin krijimi i gjykatës supreme dhe i gjykatës kushtetuese të Kosovës, është zyra tjetër që është me rëndësi të veçantë, ajo për siguri, zyra për marrëdhënie me jashtë që ka sinjale për hapje dhe zyra të tjera."
Kryeministri ka kërkuar gjithashtu që në kuadër të zyrës së kryeadministratorit të jetë edhe një përfaqësues i përhershëm i qeverisë, ashtu siç ka UNMIK-u një kryeoficer që merr pjesë në mbledhjet e qeverisë. Qëllimi i këtij veprimi të qeverisë është që roli i UNMIK-ut ngadalë të shkrihet dhe të gjitha këto kompetenca t’u barten institucioneve të Kosovës.
Sidoqoftë, duke mos synuar të japë një përgjigje kompelete lidhur me gjithë përmbajtjen e letrës, UNMIK-u thotë se çështjet do të shikohet nga organet përkatëse. Megjithatë, UNMIK-u e ka vlerësuar këtë hap të kryeministrit dhe sugjerimet e drejtuesve të jerë të institucione tha zëdhënësja Karlovicz. "Para së gjithash zoti Holkeri është i kënaqur nga hapja e konsultimeve me përfaqësuesit e institucioneve të përkoshme të cilët i kanë ofruar zotit Holkeri mjaft të dhëna të rëndësishme dhe këo pikëpamje përfundimisht do të jenë të prezantuara në punën e tij", tha zëdhënësja Karlovicz, duke mos precizuar një kohë të përafërt se kur mund të pritet përgjigja nga UNMIK-u apo organet e UNMIK-ut ndaj kërkesave të kryeministrit Rexhepi.




XS
SM
MD
LG