Ndërlidhjet

IBRAHIM MAKOLLI: ËSHTË BËRË PAK PËR NDRIÇIMIN E FATIT TË PERSONAVE TË ZHDUKUR


Zijadin Gashi, Prishtinë

Pas më shumë se katër vjet të përfundimit të luftës, në Kosovë ka ende mbi 4 mijë persona të cilët konsiderohen të zhdukur. Zyra e UNMIK-ut për Personat e Zhdukur dhe Mjeksi Ligjore, u ka bërë thirrje sot autoriteteve në Beograd, si dhe të gjithë faktorëve tjerë me rëndësi që në ditën ndërkombëtare të personave të zhdukur, të tregojnë më tepër bashkëpunim, ngase në të kundërtën, vlerësohet se
zërat e të afërmëve të personave që mungojnë që nga lufta dhe pas saj, do të mbeten të shurdhër. Ndërkohë, Ibrahim Makolli nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut me seli në Prishtinë, thotë se autoritetet si në Kosovë ashtu edhe ato në
Beograd nuk kanë bërë sa duhet për ndriçmin e fatit të këtyre personave të zhdukur. “Lirisht mund të them se të gjithë mekanizmat qofshin ata vendorë apo ndërkombëtarë në Kosovë kanë bërë shumë pak në drejtim të zbulimit të fatit të personave të zhdukur dhe sipas një parallogarie, nëse i gjithë ky proces vazhdon me tempo të njejtë, atëherë do të duhen me dhjetra vite që të zbardhet në tërësi fati i personave të zhdukur”, thotë Makolli.
Ky Këshill i ndanë në dy kategori personat e zhdukur. Kategoria e parë përfshinë njerëzit të cilët së fundi janë parë të gjallë, bëhet fjalë këtu për ata persona të rrëmbyer nga forcat serbe gjatë luftës, por të cilët më pas nuk janë paraqitur më kurrë dhe kategoria e dytë ku përfshihen kufomat e zhdukura. Makolli thotë se Beogradi po i mbanë kufomat e kosovarëve të vrarë edhe përkundër faktit se ata janë identifikuar si kosovarë, çka sipas tij bën që në mungesë të identifikimit të tyre familjarët e tyre të mos e dinë nëse i kanë të gjallë apo të vdekur të afërmit e tyre. “Opinioni është i njoftuar se në territorin e Serbisë ndodhen rreth 1mijë kufoma të kosovarëve. Prej tyre rreth 100 kufoma pas identifikimit janë transferuar në Kosovë. Ne kemi kërkuar nga mekanizmat ndërkombëtarë që të gjithë këta të gjetur në Serbi të transferohen në Kosovë dhe pastaj këtu të bëhet identifikimi i tyre”, ka thënë z.Makolli.
Kurse organizata londineze Amnesty International në një raport të publikuar këto ditë, thotë se në mesin e mbi 4 mijë të zhdukurve, 3 mijë veta janë shqiptarë të Kosovës, ndërsa rreth 1.200 serbë, romë e pjestarë të pakicave. Amnesty International ka theksuar se
UNMIK-u, si dhe Beogradi nuk kanë ndërmarrë hapa të nevojshëm që t’i gjejnë të humburit qofshin ata shqiptarë, serbë apo pjestarë të komuniteteve tjera. Kjo organizatë u bën thirrje autoriteteve të UNMIK-ut dhe atyre në Beograd që të nisin dhe procedurat e ndjekjes penale për ata që konsiderohen fajtorë për zhdukjen e këtyre njerëzve.


XS
SM
MD
LG