Ndërlidhjet

logo-print

FABIO MINI: ARMËT I TAKOJNË TË KALUARËS DHE ATO DUHET TË LIHEN NË MUZE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Komandanti i KFOR-it, në Kosovë, gjenerali Fabio Mini, i ka dorëzuar sot 60 lloje të ndryshme të armëve të deaktivizuara, Muzeut të Kosovës. Këto armë, janë konfiskuar në pjesën jugperëndimore të Kosovës nga ana e Brigadave Shumëkombëshe të Jugut dhe të Perëndimit. Dorëzimi i këtyre armëve, do të shënojë fillimin e periudhës së amnestisë, e cili fillon nesër dhe do të zgjasë 30 ditë. Gjenerali Mini, i ka bërë thirrje më këtë rast popullatës që t’i dorëzojnë armët e tyre gjatë muajit të amnestisë. “Këto armë, i takojnë së kaluarës prandaj edhe ato i janë dorëzuar Muzeut, në mënyrë që e kaluara të mos harrohet, por që ajo të kuptohet si e kaluar”, ka thënë Mini.
Gjenerali Fabio Mini, tha se “këto armë janë përdorur gjatë kohës së luftës dhe kanë shërbyer për të luftuar, vrarë, mbrojtur, apo për çkado qoftë tjetër, por shtoi ai, tash këto armë i takojnë Muzeut dhe do të shërbejnë që njërëzit e Kosovës të mësojnë prej tyre një pjesë të historisë”. Këto armë, tash eksponate të Muzeut, do të shërbejnë që të tregojnë një histori të vërtetë, se kush luftoi dhe kush është mbrojtur me këto armë si dhe kush ndërhyri për të mirën e të gjithë kosovarëve, ka thënë Mini.
Sipas disa hulumtimeve të bëra nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) rreth dy të tretat e familjeve apo shtëpive në Kosovë posedojnë armë. UNDP në një raport të publikuar, potencon se në Kosvoë ka nga 320 deri në 460 mijë armë të vogla, të cilat llogariten me miliona euro. Këto armë, sipas kësaj organizate mbahen të fshehura nga popullata dhe kanë mbetur që nga koha e luftës. Njerëzit deri tash kanë hezituar t’i dorëzojnë ato, për shkak të vuajtjeve që u ka sjellur lufta, thotë UNDP.
Organet e rendit, ndërkaq pohojnë se shumica e këtyre armëve janë të paregjistruara. Për 2 milionë e më tepër banorë sa ka Kosova, ky është numër i madh i armëve ilegale që posedon popullata, ka theksuar UNDP.
Këto armë, autoritetet e UNMIK-ut dhe të KFOR-it në Kosovë, i konsiderojnë objekt të pasigurisë dhe të rrezikut permanent për vet familjet kosovare.
Policia ka premtuar se ata qytetarë të cilët do t’i dorëzojnë armët brenda afatit të amnestisë nuk do të pësojnë kurrfarë pasojash apo ndjekje penale. Kurse parashihen dënime të ashpra për ata që nuk i dorëzojnë armët brenda këtij afati.
Ky është muaj i tretë i amnestisë, i shpallur në Kosovë që nga përfundimi i luftës dhe vendosja e administratës ndërkombëtare. Sipas të dhënave zyrtare, dy herat e para janë mbledhur nga 500 armë, përfshirë këtu dhe granata, municion e armë të llojeve të ndryshme.


XS
SM
MD
LG